Manchester City ka gati goditjen e dytë për këtë merkato teksa pas firmës me Mateo Kovacic, “The Citizens” përgatiten të kompletojnë transferimin e një tjetër lojtari të kombëtares kroate. Fjala është për Josko Gvardiol të Leipzig, një objektiv i vjetër për anglezët dhe për trajnerin Pep Guardiola.
21-vjeçari është më pranë se kurrë zyrtarizimit te City dhe të mërkurën ka kryer në mënyrë sekrete pjesën e parë të vizitivae mjekësore. City ka prej kohësh akordin me lojtarin dhe tashmë drejtuesit po punojnë për detajet e fundit me kolegët e tyre te klubi gjerman. Pritet që kartoni i atij që konsiderohet si një prej mbrojtësave më të talentuar të gjeneratës së tij, t’i kushtojë arkave të Cityt plot 90 milionë paund.
Sapo shifrat të bëhen zyrtare dhe palët të njoftojnë akordin, Gvardiol do të shndërrohet në mbrojtësin më të shtrenjtë duke “parakaluar” në këtë klasifikim Harry Maguire, për të cilin Manchester United shpenzoi 80 milionë paund kur e transferoi në vitin 2019 nga Leicester.
Me Gvardiol reparti difensiv i skuadrës së Pep Guardiolës mund të konsiderohet i blinduar, me kroatin që do të formojë qendrën e mbrojtjes me Ruben Dias ndërsa alternativë është edhe Akanji, Ake apo Laporte. “The Citizens” përgatiten për një tjetër sezon shumë impenjues teksa do të kërkojnë të përsërisin suksesin e vitit të fundit ku e mbyllën me tre titujt më të rëndësishëm sezonal, Champions League, Premier League dhe FA Cup.