Sot në Bruksel takimi i radhës Bislimi e Petkoviq

SYRI TV

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi sot gjendet në Bruksel për takimin e radhës të dialogut. 

Dje Bashkimi Europian ka dalë me një njoftim për këtë takim, duke zbuluar agjendën.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se sot emisari Miroslav Lajçak, do të presë palët dhe se fokusi i bisedës do të jetë zbatimi i marrëveshjes dhe shtensionimi i situatës.

“Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak do të presë kryenegociatorët e të dyja palëve në kuadër të dialogut të lehtësuar në Bruksel. Në fokus do të jetë zbatimi i plotë i Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe hapat drejt deeskalimit të situatës në veri të Kosovës”, ka shkruar Stano në Twitter.

Nga Qeveria e Kosovës dje kanë konfirmuar se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi sot do të udhëtojë drejt Brukselit për të marrë pjesë në takimin e radhës të dialogut.

“Mund të konfirmoj që nesër janë takimet e radhës të procesit të dialogut. Zëvendëskryeministri do të jetë atje, në Bruksel”, tha këshilltari për media i Bislimit Klisman Kadiu për Gazetën Express.

Takimi mes dy kryenegociatorëve ishte pjesë e një dakordimi mes Kosovës dhe BE-së, të cilat bënë një marrëveshje për shtensionimin e situatës.

Në pikën katër të kësaj marrëveshje thuhej se “BE do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes”.