Kushtrim Krasniqi është një pasionant i madh i sportit

Admin

Në mungesë të arritjes së të bërit sportist profesionist, në vitin 2001 e nisi rrugëtimin të gazetarit sportiv.

Prej vitit 2017 është zëdhënës i institucionit më të lartë sportiv, Komiteti Olimpik i Kosovës, ku i menaxhon rrjetet sociale, marrëdhëniet me publikun etj.

Punët i ecin shumë mirë. Thotë se kjo është punë ku udhëtimet jashtë vendit me sportistë për Lojërat e ndryshme, të japin motiv shtesë, e sidomos kur fitohen medaljet që janë synimet e përbashkëta të të gjithëve.

Krasniqi, derisa e krahason pozitën e gazetarit të sportit me atë të zëdhënësit të Komitetit Olimpik të Kosovës, në një bisedë me “Syri TV”, thotë se “nuk është që dallon shumë, por arsyeja e transferimit janë kushtet më të mira financiare. Pastaj, është koha ku je më i lirë, dhe kur je familjar, prind i dy fëmijëve, Nilda dhe Eid, koha e lirë është shumë e vlefshme”.

Ai zbulon se vajza e tij, Nilda po ec hapave të babait dhe që kur ishte shumë e vogël, merret me sport, respektivisht me basketboll.

Me Kushtrimin e kemi realizuar një intervistë, përmes së cilës ai e shpalos krejt rrugëtimin e tij në gazetari dhe në Komitetin Olimpik të Kosovës.

Zëdhënësi i KOK-ut, Kushtrim Krasniqi pjesë e rubrikës “Bardhë e Zi” në portalin Syri.tv

SYRI.TV: Përshëndetje Kushtrim mirë se erdhe në rubrikën “Bardhë e Zi” në portalin Syri.tv nga Mërgata?

Krasniqi: Faleminderit shumë Arben. Ndihem i privilegjuar që jam zgjedhur i intervistuari juaj.

SYRI.TV: Kush është Kushtrim Krasniqi?

Krasniqi: Jam një i person i pasionuar pas sportit. Në mungesë të arritjes së bërit sportist profesionist, në vitin 2001 nisa rrugëtimin tim të gazetarit sportiv. Prej vitit 2017 jam zëdhënës i institucionit më të lart sportiv, Komiteti Olimpik i Kosovës, ku menaxhoj rrjetet sociale, menaxhoj marrëdhëniet me publikun etj.

SYRI.TV: Si po ju ecin punët si zëdhënës i Komitetit Olimpik të Kosovës dhe cilat janë zhvillimet e fundit?

Krasniqi: Punët ecin shumë mirë. Është punë ku udhëtimet jashtë vendit me sportistë për Lojërat e ndryshme, të japin motiv shtesë, e sidomos kur fitohen medaljet që janë synimet e përbashkëta të të gjithëve.

SYRI.TV: Ju keni qenë gazetar i sportit tani zëdhënës i Komitetit Olimpik të Kosovës. Pse ky ndryshim?

Krasniqi: Nuk është që dallon shumë, por arsyeja e transferimit janë kushtet më të mira financiare. Pastaj, është koha ku je më i lirë, dhe kur je familjar, prind i dy fëmijëve, Nilda dhe Eid, koha e lirë është shumë e vlefshme.

SYRI.TV: Çfarë ka bërë KOK-u për sportistët Kosovarë?

Krasniqi: KOK-u vazhdimisht mbështet sportistët. Momentalisht, 57 sportistë marrin bursa mujore. 22 sportistë mbështeten për Lojërat Olimpike Paris 2024. Mbështesim edhe pesë trajnerë, e po ashtu iu paguajmë edhe përgatitjet sportistëve.

SYRI.TV: Me sa sportistë pritet të përfaqësohet Kosova në Lojërat Olimpike 2024?

Krasniqi: Kosova pritet që vitin e ardhshëm të përfaqësohet në Lojërat Olimpike Paris 2024. Me gjasë do të marrin pjesë me 10 ose 11 sportistë, shumica prej të cilëve pritet të jenë nga sporti i xhudos.

SYRI.TV: Sa medalje olimpike i ka fituar Kosova deri tash?

Krasniqi: Kosova në vetëm dy pjesëmarrje në Lojërat Olimpike, i ka fituar tri medalje të arta Olimpike me xhudistet Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.

SYRI.TV: Sa jeni të kënaqur me punën e Mistrisë së Sportit. Sa ju ka përkrahur MKRS-ja në këtë drejtim?

Krasniqi: Ministria vazhdimisht përkrah KOK-un dhe federatat sportive, dhe është mbështetësi i kryesor për sportin. Po ashtu, përkrahje e madhe për sportin është edhe ligji për sponsorizimin.

SYRI.TV: Do t’i kthehesh gazetarisë apo do ta vazhdosh rrugën si zëdhënës?

Krasniqi: Për momentin, nuk besoj që do të kthehem, por të ardhmes nuk i dihet. Jam mirë në KOK dhe mendoj të kontribuoj edhe gjatë aty.

SYRI.TV: Si është jeta e një zëdhënësi të KOK-ut?

Krasniqi: Është pune 8-16:00 në zyrë të KOK. Pas orës 16 kontribuoj nga shtëpia duke publikuar lajme në rrjetet sociale. Sporti zakonisht zhvillohet në fundjavë, dhe publikimi i lajmeve kërkon shpejtësi, saktësi, dhe kreativitet. Të dielën kryesisht e kaloj me familjen, pasi të shtunën punoj edhe në biznesin familjar, “Catering Kosova”, që merret me shitjen e produkteve hotelierie.

SYRI.TV: Çfarë makine vozit Kushtrim Krasniqi?

Suzuki Vitara.

SYRI.TV: Si janë 24 orët e Kushtrim Krasniqi?

Krasniqi: 8:00-16:00 punë në KOK. 16:00-18:00 në “Catering Kosova” dhe koha tjetër familja.

SYRI.TV: Faleminderit shume Kushtrim që pranuat ftesën të jeni pjese e rubrikës Krasniqi: Bardhë e Zi të portalit www.Syri.tv nga Zvicra, ju faleminderit dhe njëherësh që gjetët kohë për këtë intervistë?

Krasniqi: Faleminderit shumë prej juve. Ju uroj punë të mbarë dhe suksese të pafundme. Njëkohësisht ftoj mërgatën, konkretisht prindërit e fëmijëve, qe t’i bashkohen Kosovës për ta përfaqësuar në garat ndërkombëtare.

 

Intervistoi Arben Mehmeti gazetar i SYRI TV nga Zvicra