Për Ballkanin nga BE mbi dy miliardë euro , pse?

SYRI TV

Komisioni Evropian nisi një paketë të re financiare për të mbështetur 14 projekte investimi lider në fushën e transportit, energjisë, mjedisit, kapitalit njerëzor dhe mbështetjes për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor, me vlerë 2.1 miliardë euro.

Siç thuhet në deklaratën e publikuar në faqen e KE-së, kjo është pakoja e pestë e investimeve në kuadër të Planit Ekonomik dhe Investiv të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Projektet u përgatitën në bashkëpunim të ngushtë me partnerët në Ballkanin Perëndimor dhe institucionet financiare ndërkombëtare për të përshpejtuar perspektivën evropiane të rajonit.

Komisioneri Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Varhelyi tha se paketa e re e investimeve u dërgon një mesazh të qartë partnerëve nga Ballkani Perëndimor, se e ardhmja e tyre është në BE dhe se “ne po bëjmë përparim të qëndrueshëm” për të kapërcyer zhvillimin e pabarabartë ekonomik.

“Këto projekte do të lidhin më mirë vendet e rajonit me njëri-tjetrin dhe me BE, do të ndihmojnë në dekarbonizimin e ekonomive të tyre dhe do të ofrojnë mbështetje për konkurrencën e sektorit privat në rajon,” tha Varhelyi.

Ai u bëri thirrje partnerëve nga Ballkani Perëndimor dhe institucioneve financiare ndërkombëtare që të nisin sa më shpejt projektet në mënyrë që qytetarët dhe bizneset në rajon të përfitojnë nga këto investime.