E faktori ndërkombëtar, ai politik dhe i sigurisë, u ka adresuar thirrje Kosovës dhe Serbisë për uljen e tensioneve në veri. Kësaj thirrjeje iu bashkua edhe KFOR-i, që njoftoi se nga përleshjet e së martës me protestuesit serbë në Zveçan, të lënduar mbetën 30 pjesëtarë të këtij misioni, përfshirë tre që pësuan plagosje nga armë zjarri.
Nga misioni i KFOR-it, iu adresuan thirrje Kosovës e Serbisë që të marrin përgjegjësi për situatën e krijuar në veri. E duke iu referuar tensioneve të një dite më parë, nga ky mision bënë të ditur se 30 pjesëtarë të tij janë lënduar, tre prej të cilëve nga armë të zjarrit.
“11 ushtarë nga Kontingjenti italian dhe 19 nga Kontingjenti hungarez kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit. Lëndimet e tyre nuk janë të rrezikshme për jetën”, u tha në njoftim të KFOR-it.
E nga misioni i EULEX-it, nëpërmjet një deklarate dhënë Tanjugut, kërkuan që paqja të rikthehet në veri të Kosovës.
“Situata e sigurisë atje është ende e tensionuar dhe kjo është një arsye për shqetësim të madh. Ju bëjmë thirrje të gjitha palëve që të veprojnë me maturi, të shmangin dhunën dhe të marrin masa për të depërshkallëzuar këtë situatë të tensionuar. Duhet të rivendoset urgjentisht paqja në interes të të gjithëve komuniteteve që jetojnë në veri të Kosovës”.
Situatën në tri komunat veriore, Policia e Kosovës e kualifikoi të brishtë por të qetë.
“Referuar rrethanave dhe zhvillimeve të ndodhura dje (29.5.2023), ku protestues, individë/grupe kriminale, me dhunën ekstreme të shfaqur, kanë bërë që situata në aspektin e sigurisë në veri të vendit të përshkallëzojë dhe të degradojë deri në rrezikim të jetës së njerëzve, përfshirë jetën e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë. Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare, po vazhdon me angazhime në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave, si dhe po bashkëpunon/koordinon aktivitetet me KFOR-in dhe institucionet relevante. Njëkohësisht, njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastet dhe zhvillimet e djeshme”, u tha nga Policia e Kosovës.
Nga Ministria e Jashtme e Francës, ulja e tensioneve në veri është vlerësuar si kyç për sigurinë në Evropë. Nga kjo ministri iu bë thirrje Kosovës e Serbisë që për gjetjen e një kompromisi të shfrytëzohen bisedimet.
“Nuk mund të pranojmë që stabiliteti rajonal të vihet në rrezik, duke pasur parasysh kontekstin kritik ndërkombëtar. Është çështje e sigurisë evropiane”, thuhet nga MPJ e Francës.
Për situatën në veri, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se ka diskutuar të martën me ambasadorë të vendeve të QUINT-it. Sipas njoftimit nga Zyra e Vuçiqit, ai nga ndërkombëtarët kërkoi reagim të shpejtë në drejtim të tërheqjes së njësiteve speciale të Kosovës nga veriu.
“Vuçiq pret që vendet e QUINT-it, të cilat kanë ndikimin më të madh në Prishtinë, të miratojnë dhe të zbatojnë urgjentisht disa masa që do të garantonin sigurinë e serbëve në Kosovë, gjë që është parakusht për çdo diskutim të mëtejshëm me përfaqësuesit e institucioneve të përkohshme në Prishtinë”, njoftoi Presidenca e Serbisë.
Ndërkaq në Prishtinë sulmet ndaj policisë, KFOR-it dhe gazetarëve të martën i dënoi presidentja, Vjosa Osmani, me rastin e takimit me zëvendëssekretarin e përgjithshëm për Paqe, Siguri dhe Mbrojtje në Shërbimin Evropian Charles Fries, shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, dhe me shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark.
“Presidentja Osmani dhe zëvendëssekretari Fries diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës. Presidentja ka përsëritur dënimin e fuqishëm për sulmet e strukturave ilegale serbe të shndërruara në banda kriminale kundër policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve. Presidentja Osmani ka potencuar se këto banda kriminale, të mbështetura nga Vuçiqi, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit, prandaj veprimet e tyre të rrezikshme duhet të dënohen nga të gjithë”, u tha nga Presidenca e Kosovës.
Për situatën në veri janë deklaruar edhe përfaqësues të Rusisë dhe të Kinës, duke i përkrahur veprimet e serbëve dhe duke i dënuar ato të Kosovës citon Koha.