Tashmë është zyrtare: Rami Hadar është zgjedhur selektor i Kombëtares së Kosovës në basketboll.
Trajneri izraelit është prezantuar sot nga Federata e Basketbollit të Kosovës, me të cilën ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2026.
Hadar do ta drejtojë Kosovën në fazën parakualifikuese të Eurobasket 2025, ku “Dardanët” janë në grup me Zvicrën dhe me Danimarkën.
Ai premton se do të mundohet që ta çojë ekipin drejt sukseseve të reja.
“E falënderoj Federatën për mundësinë e dhënë dhe këtë e shoh si sfidë në karrierën time që më është besuar kjo punë. Mund të them se gjatë tre muajve këtu, kam mësuar shumë për kulturën e juaj dhe kam takuar njerëz fantastik që më kanë pritur mirë, ndihem si pjesë e këtij vendi. Jam tepër krenar dhe do të jap më të mirën për këtë punë që të kemi rezultate të mira. Besoj në pasionin, ekipin dhe gjithë përkrahjen që do ta kem. Kështu që, falënderoj të gjithë Federatën që besoi në mua, për të ma dhënë ekipin. Jam i bindur se do të kem rezultate të mira”, deklaroi fillimisht Hadar.
Ai njëkohësisht do ta drejtojë ekipin e Pejës, të cilën e shpalli kampion së fundmi dhe më pas e vazhdoi kontratën me Verdhezinjtë.
Trajneri izraelit ndihet mjaft mirë në Kosovë dhe premton se do të punojë me gjeneratat e reja, të cilat janë e ardhmja e basketbollit kosovar.
“Faktori tjetër është se besoj që mund ta bëjmë këtë së bashku. Objektivi i parë është të marrim rezultate të mira, sepse basketbolli është për rezultate. Objektivi tjetër është që të rrisim gjeneratën e re të Kosovës në ekipin A gjatë kohës time”, përfundoi trajneri 56-vjeçar.
Rami Hadar konsiderohet si njëri prej trajnerëve më të mirë që kanë punuar në basketbollin kosovar.