Boksieri i famshëm shqiptar, Haxhi Robin Krasniqi është pritur sot nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Të dy kanë diskutuar rreth realizimit të ëndrrës së boksierit junikas, por edhe të krejt tifozëve shqiptarë për ta parë në ring ish-kampionin e botës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Dhe, kjo ëndërr do të bëhet realitet më 5 gusht kur boksieri me nënshtetësi gjermane do t’i kryqëzojë dorëzat në vendin e tij të zemrës, ndonëse emri i kundërshtarit nuk është bërë ende i ditur.
Kryetari i Prishtinës është entuziast para meçit të Krasniqit, duke besuar fuqishëm se shkallët stadiumit të kryeqytetit do të mbushen plot në një natë për mbamendje.
“Robin Krasniqi vjen për herë të parë në stadiumin e kryeqytetit! Mbrëmje historike boksi: Më datë 5 gusht, stadiumi ‘Fadil Vokrri› do të mbushet me adrenalinën e një eventi historik të një nate të paharrueshme boksi profesional ndërkombëtar. Përgatituni për një spektakël të jashtëzakonshëm. Prishtina e përjetimeve”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale.
Më pas, rreth këtij takimi postim ka bërë edhe vetë Haxhi Krasniqi, i cili mezi pret të zbresë në ring, në një stadium që do ta thërrasë vazhdimisht emrin e tij.
“Së bashku, të pamundurën e bëjmë të mundur! Ashtu si e tha edhe kryetari, na pret një mbrëmje historike, më 5 gusht, stadiumi ‘Fadil Vokrri’, Prishtinë. Faleminderit Përparim Rama. I juaji, R.K”, ka shkruar Krasniqi, i cili me mburrje gjithmonë pas fitoreve është veshur me flamurin kuqezi.
Siç dihet, Haxhi Krasniqi është shqiptari i parë që është shpallur kampion bote në boksin profesionist.
Ai synon të rikthehet në majat e boksit botëror pasi kohëve të fundit më shumë ishte i përkushtuar tek familja.