Kosova do ta zyrtarizojë të hënën trajnerin para ndeshjeve me Zvicrën dhe me Danimarkën

SYRI TV

Kombëtarja e Kosovës do të bëhet me përzgjedhës të ri të hënën që po vjen.

Federata e Basketbollit të Kosovës ka njoftuar se më 22 maj do ta prezantojë prijësin e ri seleksionues të Dardanëve përmes një konference për shtyp që do ta mbajë nga ora 14:00 në kryeqytet.

Trajneri i ri do t’ju prijë Verdhekaltërve në ndeshjet e fazës para kualifikuese të Eurobasket 2025.

Dardan Berisha me shokë do të jenë në një grup me Zvicrën dhe me Danimarkën dhe me trajnerin e ri synojnë të shkojnë në një kategori më lartë garash.

Sipas informacioneve që vijnë nga Kosova, selektor i ri i Dardanëve do të jetë trajneri aktual i klubit të basketbollit Peja, Rami Hadar, i cili së fundmi i shpalli  Verdhezinjtë kampionë të Kosovës pas triumfit ndaj Trepçës në finale të “play-offit”.

Përballja mes Kosovës dhe Zvicrës do të jetë e veçantë dhe emocionuese për faktin se këto dy vende i lidh komuniteti shqiptar që jeton në shtetin helvetik.

Njëjtë si në basketboll, edhe në futboll, në kualifikimet e Euro 2024 do të ballafaqohen këtë vit Zvicra me Kosovën.

Pra, në muajt në vazhdim do t’i kemi disa përballje, që quhen si vëllazërore mes Kosovës dhe Zvicrës.

Besim Laci – Syri TV