Komunitetit shqiptar në Zvicër nuk i kanë munguar asnjëherë sukseset në sfera të ndryshme.
Sporti pa dyshim se është “arma” më e fortë e shqiptarëve në shtetin “Helvetik”, të cilin e kanë përfaqësuar denjësisht edhe në arenën ndërkombëtare.
Edhe në rrafshin vendor, klubet sportive shqiptare shquhen me korrektësinë dhe me sukseset e tyre.
Njëra prej tyre është edhe FC Iliria, e cila po i radhit sukseset e njëpasnjëshme.
Klubi shqiptar e regjistroi së fundmi suksesin e radhës në futboll.
Në një ndeshje spektakël dhe me plot emocione, të cilën e ndoqi edhe babai i dy futbollistëve të njohur nga Kosova, Granit e Taulant Xhaka, FC Iliria fitoi pas gjuajtjeve të penalltive.
Në një ndeshje me plot gola, respektivisht 10 sosh, loja e rregullt përfundoi baras, 4:4, ndërsa pas vazhdimeve 5:5.
Dhe, kjo bëri që fituesin ta përcaktonin penalltitë dhe në këtë rast më të suksesshëm ishin lojtarët shqiptarë të FC Iliria karshi atyre të skuadrës kundërshtare, Subingen.
Vlen të përmendet këtu edhe portieri Nicola Trittibach, i cili ishte hero i finales me tri pritje të penalltive, me ç’rast FC Iliria festoi në praninë e 3 mijë shikuesve në Balsthaler Moos, shkruan edhe “solothurnerzeitung”.
Trofeun lart për herë të katërt, pas viteve 2016, 2019 e 2021, e ngriti kapiteni Alban Jahiu, për ta shënuar suksesin e radhës në Solothunrer Adler.
E i stër-kënaqur dhe mjaft i gëzuar me suksesin e radhës s’kish se si mos të ishte edhe trajneri Vilson Dedaj, i cili po e drejton me sukses ekipin e komunitetit shqiptar në Zvicër.
“Është shumë e vështirë t’i shprehësh emocionet me fjalë. Është një përzierje e lehtësimit, e lumturisë dhe e krenarisë së madhe. Jam krenar me paraqitjen e lojtarëve të mi dhe jam krenar që mund ta drejtoj këtë ekip”, u shpreh trajneri Dedaj.
Ekipi i tij tregoi karakter të fortë pasi ishte i aftë ta rikthente rezultatin, përkundër faktit se ishte në disavantazh dhe i kishte rëniet dhe ngritjet në lojë.
“Ne e merituam fitoren. U rikthyem nga 0:2 dhe më pas në vazhdime nga 4:5. Gjuajtjet e penalltive janë punë fati. Por, ‘Tritti’ u shfaq në mënyrë sensacionale me pritjet e tij”, përfundoi trajneri Vilson Dedaj pas finales së “Solothurn Cup Final”.
Duhet cekur se ekipi i FC Iliria është me tradita sidomos në Kupë por le mbresa edhe në kampionat të ligës së dytë, e përshtypja është se ka një kryesi shumë punëtore dhe simpatizantë të afërt dhe besnik.
Rrahim Dakaj dhe stafi i FC Iliria janë tepër të lumtur për këtë fitore që len shpresë për ndeshjen e radhës të Kupës në rangun më të lartë të Zvicrës me me tifozët nga të gjitha trevat e vendlindjes që dëshmon edhe me prezencën e prindit të legjendave të futbollit ne Zvicër Granit dhe Taulant Xhaka
FC Liria është klub që e ka bërë krenar dhe të mburret komunitetin shqiptar në Zvicër.
Për TV SYRI – Besim Laci