Trepça dhe Peja do ta zhvillojnë të enjten përballjen e pestë dhe të fundit mes tyre në finale të “play-offit” në Prince Caffe Superligën e basketbollit.
Aktualisht, seria finale mes tyre është 2-2, prandaj edhe dueli i së enjtes në palestrën e sporteve “Minatori” në Mitrovicë do të jetë përcaktues për titull të kampionit.
Dy skuadrat janë në kërkim të trofeut të çmueshëm pas një dekade pritjeje.
Edicioni 2022/23 po përmbyllet me një super-sfidë, ndërsa ka qenë njëri nga më interesantit në vitet e fundit, derisa interesimi i publikut ka qenë i jashtëzakonshëm, sidomos gjatë garave shtesë.
Në katër takimet finale, mitrovicasit dhe pejanët kishin fituar si vendas.
“Xehetarët” fituan 94:86 dhe 97:90, kurse Verdhezinjtë triumfuan 107:79 dhe 87:83.
Të enjten mbrëma nga ora 20:00 palestra “Minatori” pritet të jetë e stërmbushur, ashtu si ka qenë në pjesën më të madhe të këtij edicioni, ndërsa përveç kampionit do të vendoset se kush do të shpallet MVP (lojtari më i vlefshëm) i finaleve.
Mitrovicasit për herë të fundit ishin shpallur kampionë në vitin 2012, kurse pejanët një vit më vonë më, 2013.
Në këtë edicion mitrovicasit e fituan Kupën e Kosovës, kurse pejanët ishin finalistë të Ligës Ballkanike.
Për të depërtuar deri në finale, Trepça i kishte eliminuar Bashkimin dhe Sigal Prishtinën, ndërsa Peja e eliminoi Golden Eagle Yllin.