Kosova synon të jetë protagoniste edhe në Olimpiadën e Parisit, e cila do të mbahet vitin tjetër.
Për momentin, “Dardanët” i kanë siguruar katër norma olimpike me sportistët e xhudos, të cilët e shohin veten lartë në renditjen botërore.
Bëhet fjalë për dy kampionet olimpike, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, i dhe për Loriana Kukën dhe Laura Fazliun.
E rrugën e tyre mund ta ndjekin edhe dy xhudistë të tjerë, Akil Gjakova dhe Flaka Loxha.
Pra, Kosova mund të shkojë në Olimpiadën e vitit tjetër me gjashtë garues vetëm nga sporti i xhudos.
Ndërkohë, edhe nga sportet tjera ka garues me potencial që ta bëjnë një gjë të tillë, sidomos nga boksi, karateja apo nga mundja.
Gjithashtu, si zakonisht, në Olimpiadë mund të shohim sportistë kosovarë që kanë marrë ftesa nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, pra pa normë olimpike.
E në total, në evenimentin më të rëndësishëm të sportit në botë mund t’i shohim mbi 10 garues nga Kosova.
Siç dihet, vendi ynë ka qenë mjaft i suksesshëm në dy Olimpiadat e fundit duke i fituar tri medalje të arta, të parën me Majlinda Kelmendin në vitin 2016, e më pas me Nora Gjakovën e Distria Krasniqin në Olimpiadën e Tokyos, e cila u mbajt në vitin 2021.
Edhe në Olimpiadën e Parisit, Kosova synon medalje dhe shpresat më të mëdha janë tek sporti i xhudos.