Adil Maliqi, selektor i ri i Kosovës U-19
Adil Maliqi është emëruar selektor i ri i Kombëtares U-19 të Kosovës.
Ai në këtë pozitë do ta pasojë trajnerin Ramiz Krasniqi, i cili tash e tutje do ta mbajë pozitën e koordinatorit në U-19.
Maliqi, i cili është lindur dhe rritur në Zvicër, e ka të përfunduar akademinë e futbollit “Grasshopper Club Cyrih” dhe atë të “Fc Winterthur”.
Si futbollist, Maliqi ka qenë aktiv në Ligën e Parë të Zvicrës deri në vitin 2012.
Ai më pas i ka drejtuar disa klube amatore në Zvicër dhe e ka një përvojë 11-vjeçare si trajner.
Fillimisht ai u përzgjodh zëvendës trajner në futbollin profesionist tek U-15 në akademinë e Winterturit, ndërsa më pas iu besua drejtimi i ekipit U-17 me ç‘rast kjo grupmoshë nën drejtimin e trajnerit Maliqi e shënoi suksesin më të madh ndonjëherë.
Në karrierën e tij si trajner ai i ka të fituar dy tituj me skuadrën “SV Wyrenlos” në Ligën e Tretë të Zvicrës.
Trajneri Maliqi theksoi se pozita e përzgjedhësit të Kombëtares së Kosovës është ëndërr e kamotshme e tij, derisa përfaqësimi i shtetit të Kosovës përbën krenari për të, ndërsa premtoi se do të punojë me shumë përkushtim për suksesin e “Dardanëve” të rinj.
Atij, mirëseardhje i uroi kreu i FFK-së, Agim Ademi.