Në Aachen të Gjermanisë, në prani të shumë bashkëkombësve, krijuesve, publicistëve, poetëve, veprimtarëve e shokëve të idealit, e në mesin e tyre kishte edhe bashkëvuajtës nëpër burgjet ish- jugosllave me heroin e kombit Xhavit Hazirin, u promovua libri monografik i autorit Mustafë Krasniqi “Atdhetari i Shtigjeve të Lirisë- Xhavit Haziri”, kushtuar heroit të Kombit Xhavit Hazirit.
Programi u hap me himnin kombëtar në përcjellje edhe nga nxënësit e shkollës shqipe në Aachen.
Moderimin e promovimit e bëri mësuesja Elizabeta Statovci.
Për librin foli: bashkëveprimtari i Xhavit Hazirit, Binak Berisha, Dr. Vaxhid Sejdiu (recensent i librit), poeti Hasan Qyqalla, prof. Isuf Ismaili (redaktor i librit) dhe autori i librit prof. Mustafë Krasniqi.
Të pranishmit i përshëndeti organizatori i këtij promovimi Arbër Haziri, kurse në emër të familjes Haziri fjalën e mori vëllai i heroit Arsim Haziri. Këtë promovim e begatuan edhe nxënësit e shkollës shqipe në këtë qytet, Aachen, duke recituar vargjet e heroit, i cili i kishte shkruar gjatë qëndrimit prapa grilave në kazamatet serbe dhe vargjet e autorit Mustafë Krasniqi, kushtuar heroit.
Të pranishmit përcollën me ndjenja emocionuese, përmes videos, fjalimin e heroit të kombit, Xhavit Haziri, të mbajtur më 4 tetor 1991 në Ujmirë. Pas këtij emocioni, që u shoqërua me lot malli dhe krenarie, të pranishmit parashtruan mjaft pyetje dhe shfaqën interes të dinin më shumë për heroin e kombit Xhavit Hazirin, si dhe të ndihmojnë më shumë autorin, por edhe autorët e tjerë, me qëllim iniciues, që në të ardhmen të shkruhet më shumë për heroin dhe vepra e tij të trajtohet në mënyrën sa më të plotë të mundshme.
Në fund të këtij promovimi familja e heroit dhe autori i librit “Atdhetari i shtigjeve të Lirisë-Xhavit Haziri” librin e shpërndanë falas për të gjithë pjesëmarrësit si dhe shtruan një apero.