PERPJEKJET E SHQIPTAREVE TE LUGINES SE PRESHEVES PER BASHKIM ME SHQIPERINE ETNIKE ME 1941

SYRI TV
Titull i huazuar nga Prof.dr. Vebi Xhemaili:PERPJEKJET EDHE TE SHQIPTAREVE TE LUGINES SE PRESHEVES PER BASHKIM ME SHQIPERINE ETNIKE ME 1941
Themelimi i Lëvizjes Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim/LKpÇB/ në Shkup
Shkruan: Xhemaledin SALIHU
Gjermania fashiste më 6 prill 1941 sulmoi Jugosllavinë Mbretërore, e cila kapituloi dhe nuk rrezistoi kundër kësaj force të madhe. Me pushtimin e Mbretërisë Jugosllave përfitoi edhe Bullgaria fashiste, e cila ishte aleate e Gjermanisë. Kështu i përvetësoi shumicën e tokave shqiptare, duke thënë se ato toka ishin bullgare.Me këtë edhe fillon dhuna e paparë e ushtrisë bullgare kundër popullatës të pa mbrojtur shqiptare.Ajo nën pretekstin e kërkimit të armëve bënte terror të paparë, duke vrarë, rrahur, plaçkitur shqiptarët nëpër të gjitha tokat shqiptare. Në tokat shqiptare dhe në popullatën shqiptare u bë një gjenocid i pa parë deri atëherë dhe fushatë e egër. Thuhet se popullata maqedonase, ushtrinë bullgare e priti me lule, sepse e pa shpëtimin nga ajo, ndërsa trajtimi i Shqiptarëve ishte shumë i ashpër. Kështu okupatori bullgar ndaj sllavëve pati politikë tjetër fare, më të butë, ndërsa ndaj shqiptarëve shumë të egër.
Patriotët preshevarë: Abdullah Haxhi Veliu, Hafëz Lutfi Ahmeti, dhe Abdullah Saqipi-Presheva, të indinjuar nga gjendja e vështirë e popullatës shqiptare në Preshevë e rrethinë vendosën të shkojnë në Kumanovë, për ta takuar dhe biseduar këtë situatë me Shaban Efendinë.
Më 15-16 prill të vitit 1941 Shaban Efendia kthehet nga Nishi. Pas dy ditësh e thërrasin në shtëpi për të shkuar në kafenenë e Sali Abdullahut në Kumanovë, Abdullah Veliu, Hafëz Lutfi Ahmetin nga Presheva, Abdullah Saqipin-Presheva nga Golemidolli i Preshevës dhe Jahja Osmani nga Kumanova, ku bisedohet për luftën dhe vendosjen e bullgarëve në trojet shqiptare : Kumanovë e Preshevë, e gjetiu si dhe sjelljet e tyre ndaj shqiptarëve. Më pas është shkuar në Shkup, në Bojali Han, ku u mbajt Konferenca e LKpÇB.
Qëllimi për shkuarjen e tyre në Shkup ishte që të informoheshin se ardhja e bullgarëve ishte e vërtetë apo jo, sipas Shaban Efendisë. Mirëpo, qëndrimi i tij dhe qëndrimi i shokëve gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje ishte mundësia dhe qëllimi kryesor i tyre që viset ku jetonte shumica e popullatës shqiptare t’i bashkëngjiteshin Shqipërisë, e cila ishte nën sundimin e Italisë fashiste.
Grupi i përmendur posa arritën në Shkup u vendosën në dhomat e sipërme të “Bojali Hanit”, sepse poshtë në restorant kishin drojë se vëreheshin nga ana e okupatorit bullgar.
Kështu, më 19 prill 1941, në lokalet e Bojali Hanit në Shkup, u mbajt Konferenca e drejtuesve të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim /LKpÇB/, ku morën pjesë: Shaban Jashari, Aqif Tetova nga Gjilani, Shaip Mustafa nga Presheva, Jahja Osmani nga Kumanova, Abdullah Veliu nga Presheva, Hafëz Lutfi Ahmeti nga Presheva, Abdullah Saqipi nga Presheva, me vendbanim në Shkup dhe Idriz Ymer-Cërcëri nga Tetova.
Në Konferencë është diskutuar për tri pika të rendit të ditës:
1.Informatë nga të pranishmit për gjendjen në territoret shqiptare, pas vendosjes së ushtrisë bullgare,
2.Themelimi i Lëvizjes për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shqipërinë dhe
3. Formimi i një delegacioni, i cili menjëherë do të udhëtojë për Tetovë, Gostivar, Dibër, Tiranë dhe qendra të tjera shqiptare me qëllim të informimit reciprok për situatën e përgjithshme shqiptare.
Konferenca për shkaqe sigurie zgjati dy ditë. Në fund të saj pjesëmarrësit sollën vendimet si më poshtë:
1.U themelua LKpÇB, e cila në të ardhmen do të angazhohet që krahinat shqiptare të pushtuara nga okupatori bullgar, siç ishin Shkupi, Kumanova, Gjilani dhe Presheva, të bashkohen me Shqipërinë Etnike,
2.Me qëllim të informimit sa më të gjerë, nga pjesëmarrësit e kësaj Konference u formua delegacioni, i cili do të udhëtonte për Tetovë, Gostivar, Dibër dhe Tiranë, ku do të bisedonte me autoritetet e atjeshme shqiptare, përfshirë këtu edhe me krerët e qeverisë së Shqipërisë. Delegacionin e udhëheq Shaban Jashari, ndërsa anëtarë tjerë ishin: Abdullah Saqipi-Presheva dhe Aqif Tetova.
Udhëtimi i delegacionit të LKpÇB në Tiranë
Në Konferencën e Lëvizjes Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim të Trojeve Shqiptare me Shqipërinë, në “Bojali Han” të Shkupit, më 19 prill 1941 pos tjerave u diskutua edhe për formimin e një delegacioni, i cli do të udhëtonte për Shqipëri. Delegacioni do ta njoftonte pushtetin shqiptar me zullumin e popullatës në trojet shqiptare nën pushtimin e Bullgarisë fashiste dhe kërkesën Shqiptarëve tëe Trojeve Shqiptare : Shkup, Kumanovë, Preshevë dhe Gjilan për Bashkim me Shqipërinë Etnike.
Delegacioni u formnua në përbërje të Shaban Efendisë, Abdullah Saqipit-Presheva dhe Aqif Tetovës.
Shpenzimet e rrugës i hoqën dhe i siguruan : Abdullah Veliu nga Presheva dha 4.ooo dinarë, Shaban Efendia dha 700 dinarë, ndërsa Abdullah Saqipi dhe Aqif Tetova i siguruan shpenzimet e rrugës nga burimet vetanake.
Delegacioni i përmendur gjatë rrugës u ndalën në Tetovë, tek Shuaip Kamberi, ku biseduan për situatën politike në rajon. Këtu delegacionit iu bashkangjit edhe Udriz Ymeri nga Tetova. Më vonë, delegacionit rrugës për Tiranë iu bashkua edhe përfaqsuesi i Gostivarit, Kadri Salihu.
Në Tiranë kishin arritur të takoshin me këta persona zyrtarë : Fuat Dibra, këshilltar politik në qeveri, Shefqet Vërlaci, kryetar i Qeverisë së Atëhershme, i cili, pasi delegacioni ia elaboroi situatën, nuk u tregua shumë i entuziazmuar për kërkesat e delegacionit, shprehu njëfarë indiference sikur edhe të tjerët zyrtarë, Avni Gjilani, pensionist, këshilltar politik në qeveri, Memedali Gjilani, ish nëpunës, Ramadan Kosova, ish kapiten i Ushtrisë Zogiste, Zeqir Rexha, profesor në Gjimnazin e Tiranës, Ahmet Gashi, profesor në Normalen e Tiranës, Maliq Bushati, ministër i punëve të brendshme të qeverisë shqiptare.
Delegacioni kishte ngelur disa ditë në Tiranë dhe pastaj kishte marrë rrugën për Preshevë, Kumanovë e Shkup nëpërmjet Kosovës. Me ta për Kosovë kishin ardhur edhe shumë mësues nga Tirana.
Foto: Katërshi në anën e djathtë, nga e majta : i pari i pa njohur, Shaban Efendia,
Hafëz Lutfi Ahmeti dhe Shaban Haziri i Bugarinëve