Kolonizimi shtetëror dhe serbizimi i Vranjës me rrethinë

SYRI TV

Shkruan: Nehat Hyseni

Prania shqiptare në Vranjë deri në fund të shek. XIX Vranja dhe fshatrat e saj deri në fund të shekullit XIX dhe në film të shekullit XX ishin hapësirë me prani të fuqishme etnike shqiptare – myslimane, të krishterë dhe shqiptarë të krishterë të serbizuar gradualisht, të njohur në popull dhe në literaturë me termin “Arnautashë”.

Dokumentet osmane, tradita gojore dhe vetë shkrimet serbe dëshmojnë se një pjesë e madhe e lagjeve urbane të Vranjës, si dhe fshatrat përreth, kanë qenë të banuara me shqiptarë autoktonë.

Haxhivasiljeviqi si dëshmitar «pa dashje” i shqiptarësisë Shkencëtari serb nga Vranja, Jovan Haxhivasiljeviqi paraqitet, shpesh pa e synuar, si dëshmitar i çmuar i realitetit shqiptar.

Edhe pse autor me botëkuptim kombëtarist serb dhe pjesë e aparatit ideologjik të kolonizimit, ai ka lënë dëshmi të çmuara mbi praninë shqiptare, sidomos të shqiptarëve të krishterë në Serbi.

Ai evidenton qindra familje urbane e rurale në Vranjë dhe rrethinë me origjinë shqiptare, që dikur kishin qenë myslimane ose shqiptare të krishtera, por që më vonë u serbizuan, duke ndërruar fenë, mbiemrat, gjuhën dhe identitetin etnik.

Shpesh ai shkruan se shumë familje “janë me prejardhje shqiptare, por sot janë serbë”, duke dëshmuar përfundimin ose vijimin e procesit të asimilimit.

Në veprat e tij ai jep emra familjesh, lagje urbane, zona prejardhjeje dhe të dhëna për “shqiptarësi të dikurshme”. Haxhivasiljeviqi përmend: • familje shqiptare myslimane të dëbuara pas 1878, • familje shqiptare të detyruara të bëhen të krishtera, • familje që ruajtën gjuhën por humbën identitetin kombëtar, • familje tashmë tërësisht të serbizuara, por me origjinë shqiptare të dokumentuar.

Proceset e dëbimit, dhunës dhe asimilimit Vranja ishte hapësirë shqiptare historike ku u përdorën mekanizma të ndryshëm shtetërorë, administrativë dhe policorë për të zhdukur identitetin kombëtar shqiptar dhe për të realizuar spastrimin etnik, sidomos gjatë Luftërave Serbo-Osmane (1876–1878).

Pas luftërave dhjetëra mijëra shqiptarë u dëbuan, pronat e tyre u konfiskuan dhe qyteti i Vranjës humbi bërthamën e tij shqiptaro-myslimane. Pas Kongresit të Berlinit (1878) nisi presioni i organizuar shtetëror: • ndalim i gjuhës shqipe, • përdorimi i kishës si instrument kulturor dhe identitar, • ndryshimi i mbiemrave (shtimi –ić), • regjistrime të dhunshme të shqiptarëve si “serbë”.

Kolonizimi shtetëror u zbatua brutalisht me vendosje kolonësh serbë në shtëpitë dhe pronat e brakrisura të shqiptarëve të dëbuar, u miratuan ligje speciale për tokat, u zbatua reforma agrare represive, etj.

Kurse, policia dhe gjykatat përdorën presion kulturor, psikologjik dhe fizik, duke krijuar edhe stimuj socialë për “integrim në kombin serb” dhe për fshehje të origjinës shqiptare nga frika e ndëshkimit. Rezultati ishte zhdukja e identitetit të një qyteti, dikur të banuar fuqishëm me shqiptarë.

Vranja nga hapësirë shqiptare në qytet “pa shqiptarë” Në fund të shekullit XX, Vranja, dikur hapësirë me shtresëzim të fuqishëm shqiptar, paraqitet si qytet “serb, pa shqiptarë”. Por rrënjët shqiptare janë aty: • toponimia e vjetër ekziston, • kujtesa e brendshme familjare jeton, • dokumentet historike janë të pamohueshme!

Këto të dhëna rrënojnë tezën serbe se “serbët u asimiluan në shqiptarë” gjatë osmanëve; përkundrazi, dëshmojnë se shqiptarët e krishterë e myslimanë u asimiluan në serbë, nëpërmjet një procesi të dirigjuar shtetëror.

Rëndësia e jashtëzakonshme e veprës së Jovan Haxhivasiljeviqit Veprat e tij, sidomos “Južna stara Srbija – istorijska, etnografska i politička istraživanja” (1909, 1913), janë burime kryesore për studimin e popullsisë së Vranjës në periudhën e kalimit nga sundimi osman në atë serb.

Edhe pse i prirur nacionalisht, ai dokumentoi atë që politika serbe synonte ta fshihte: një pjesë e madhe e popullsisë së sotme serbe në Vranjë dikur ka qenë shqiptare. Preshevë – Bujanoc – Vranjë-Toplicë: një hapësirë historike e pandarë shqiptare.

Nëse Vranja shihet së bashku me Preshevën, Bujanocin dhe Toplicën, narrativa bëhet e plotë.

Para viteve 1877–1878 kjo ishte hapësirë e vetme shqiptare, me fshatra shqiptare, mëhalla dhe lagje shqiptare, toponimi shqiptare, popullsi myslimane dhe ortodokse me origjinë shqiptare dhe me lidhje familjare dhe fisnore të pandërprera.

Kurse, pas luftërave Toplica u boshatis dhe u kolonizua, Vranja u serbizua dhe u asimilua dhe Presheva dhe Bujanoci u bënë strehë e shqiptarëve të dëbuar dhe mbajtëse të vazhdimësisë shqiptare në Moravën Jugore. Shqiptarët e Preshevës dhe Bujanocit sot janë në masë të madhe pasardhës të shqiptarëve të Vranjës dhe Toplicës.

Kjo përfaqëson rastin e mbijetesës së identitetit kombëtar shqiptar përmes koncentrimit territorial. Përfundim Historia e kësaj hapësire nuk është histori e tre rajoneve të ndara, por e një trungu të vetëm shqiptar me tre fate:

1. zhbërje etnike përmes dëbimit masiv (Toplica),

2. asimilim dhe serbizim i plotë (Vranja)

3. ruajtje dhe trashëgimi e identitetit kombëtar (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) Ky kontekst historik e bën Vranjën një rast studimor të veçantë në historinë e shqiptarëve të Jugut të Serbisë dhe dëshmon për një realitet të fshehur, por të pamohueshëm historik, që ruan ende kujtesën e tij të thellë historike.

Preshevë, më 7 Janar 2026