GJYQËSORI YNË TALLET ME POPULLIN, DREJTËSINË, BUXHETIN DHE DINJITETIN E VETERANIT TË VËRTETË!

SYRI TV
Autori: Lirim Gashi
Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykim i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me nga një vit burgim ish-kryeministrin – Agim Çeku dhe 9 të akuzuarit:
Rrustem Berisha,
Shkumbin Demalijaj,
Sadik Halitjaha,
Qelë Gashi,
Shukri Buja,
Ahmet Daku,
Faik Fazliu,
Fadil Shurdhaj dhe
Xhavit Jashari, në rastin “Veteranët”.
Kurse, u liruan nga akuza Nuredin Lushtaku dhe
Smajl Elezaj.
Koment:
Në një nga rastet më të turpshme të abuzimit me dinjitetin e luftës çlirimtare dhe me buxhetin e shtetit të Kosovës, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me nga një vit burgim të kushtëzuar (praktikisht me asnjë ditë burgim) ish-kryeministrin Agim Çeku dhe nëntë të tjerë për keqpërdorim të statusit të veteranit të UÇK-së në mënyrën më banale dhe kriminale të mundshme – duke fryrë listat e veteranëve me mijëra emra të rremë për përfitime financiare, për manipulim elektoral, për shantazh politik, dhe më tragjikja: për profanimin e gjakut të dëshmorëve.
Nga rreth 12,000 veteranë realë, lista përfundimtare e “veteranëve” e manipuluar nga ky grup u rrit në përtej 60,000.
Kostoja për buxhetin e shtetit, sipas përllogaritjeve të ekspertëve të financave publike, kapërceu 100 milionë euro në dekadë.
Dënimi i shqiptuar? Një vit burg me kusht – që në thelb është një shpërblim për një krim të përmasave kombëtare.
Ky vendim është vulë mbi aktin se drejtësia në Kosovë është ende robëreshë e mafisë politike që sundoi vendin për dy dekada pas luftës.
Ata që e ndërtuan këtë shtet si një minierë të përkohshme për ta plaçkitur, janë po ata që kontrollojnë sot prokurorinë, gjyqësinë dhe shumicën e mediave.
Ndaj nuk është çudi që ky rast u gjykua si një gabim formal, e jo si një krim kombëtar.
Kur ligji i mbron hajnat dhe e ndëshkon të drejtin, atëherë – siç thoshte Platoni – “shteti është një shpellë ku drejtësia është hija e një zjarri që e kontrollojnë të fortët”.
Ky vendim është dëshmi që Nietzsche kishte të drejtë kur thoshte:
“Nëse e vërteta bëhet e padurueshme, institucionet juridike të shoqërisë së pambrojtur nga padrejtësia, e shpallin të papërshtatshme.”
Çfarë është një vit me kusht për një vjedhje të identitetit të luftës, për një gënjeshtër që e lëndon të vërtetën e popullit?
Në Kosovë, nëse vjedh një qese oriz në supermarket – për shkak të varfërisë – ke gjasë të marrësh më shumë burg sesa nëse vjedh identitetin e UÇK-së, gjakun e dëshmorëve, dhe miliona euro nga buxheti.
Këta burreca, përfshirë edhe ata dy që u liruan, kanë bërë një orgji me nderin kombëtar, dhe janë dënuar sikur të kishin harruar të paguajnë parkingun.
Kur Albin Kurti flet për “shtetin e kapur”, e ka fjalën pikërisht për këtë:
Një kastë e ish- komandantëve të shndërruar në trafikantë tenderësh, të cilët, në vend se ta mbrojnë gjakun e luftës, e përdorin si deodorant për krimet e tyre.
Këta njerëz e ndërtuan shtetin si skemë piramidale morale, ku çdo padrejtësi fshihet pas flamurit.
Kur Kurti thotë që drejtësia është selektive, flet nga përvoja e njeriut që për protestë merr burg, ndërsa ata që e përbuzin gjakun e dëshmorëve marrin vit me kusht.
Ky vendim është një shpullë në fytyrën e çdo veterani të vërtetë, një harresë për ata që dhanë jetën, dhe një bekim për ata që e përdhosen luftën për tendera, poste dhe pensione të rrejshme.
Sot, Kosova është më afër një tragjikomedie se sa një republike të drejtë.
Prandaj, drejtësia në Kosovë nuk është e verbër – ajo sheh shumë mirë… por sheh vetëm në drejtimin që ia tregon mafia.
Mediet tona, të shitura tek djalli, raportuan për këtë vendim gjyqësor ashtu siç raportojnë gjyshet për domatet dhe specat në treg, të cilat, për shkak të motit të keq, nuk kanë shije natyrale.
E bënë këtë me një ngutje të qëllimshme për ta fshehur turpin e kriminelëve që i mbrojnë.
Në këtë mënyrë na bënë të qartë, pse me plot të drejtë i urrejmë nga thellësia e zemrës.
Pse duhet të reagojë populli?
Ky vendim nuk është vetëm padrejtësi – është një ftesë publike për recidivizëm politik dhe moral. Ai i jep sinjalin e qartë të gjithë pretendentëve për pushtet:
“Plaçkit, manipulo, përdhos historinë – dhe do të marrësh vetëm një vit me kusht, ose fare asgjë.”
Ky është një precedent i rrezikshëm që legjitimon korrupsionin si metodë jetese, dhe krimin si instrument karriere.
Nëse ky dënim mbetet pa reagim qytetar, ai do të shërbejë si certifikatë amnistie për të gjithë ata që synojnë të rikthehen në pushtet duke përdorur metodën e listave të rrejshme, mashtrimeve patriotike dhe shantazhit me të kaluarën.
Do t’i shohim sërish në skenë me fjalime për “lavdinë e luftës”, ndërkohë që blejnë vota me pensione të veteranëve fiktivë dhe e grabitin popullin me buzëqeshje hipokrite.
Prandaj, nuk mjafton vetëm ta dënojmë me fjalë këtë vendim – duhet të ngrihemi si popull.
Me protesta, me peticione, me bojkot moral dhe me rezistencë qytetare.
Sepse heshtja sot është bashkëpunim dhe bashkëfajësi nesër.
Unë Lirim Gashi po e shkruaj të vërtetën falas për ju. Ju që e lexoni të vërtetën time falas, do të ma bënit nderin më të madh sikur të paktën ta shpërndanit falas. Sepse vërtet nuk ju kushton asnjë cent!.