Ardita Sinani: Në Preshevë dhe Bujanoc, nga 43 policë të ri të pranuar, asnjëri nuk është shqiptar

SYRI TV
A po tentohet të kthehet situata e sigurisë e para vitit 2001?
Në listën më të fundit të publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, për konkursin e policisë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, rezulton se:
• Në Preshevë dhe Bujanoc, nga 43 policë të pranuar, asnjëri nuk është shqiptar
• Në Medvegjë, nga 22 policë të rinj, asnjë shqiptar
Ky është një tregues i qartë i përjashtimit sistematik të shqiptarëve nga institucionet e sigurisë, dhe një alarm serioz për të gjithë ata që kujdesen për paqen, bashkëjetesën dhe stabilitetin në Luginën e Preshevës.
Para 24 vitesh, me Marrëveshjen e Konçulit, u vendos parimi i ndërtimit të një policie multietnike në komunat me shumicë shqiptare – si një garanci për sigurinë, mirëbesimin dhe integrimin. Por përkundër këtij obligimi ndërkombëtar, sot shqiptarët po përjashtohen në mënyrë të plotë nga strukturat policore.
Duke marrë parasysh se që nga viti 2004 nuk është pranuar asnjë shqiptar i ri në polici, dhe me faktin se kuadrot aktuale janë afër pensionimit, kjo situatë na çon drejt një zbrazëtie të plotë etnike në sektorin e sigurisë, njësoj si në vitin 2001, kur shqiptarët ishin të përjashtuar nga çdo institucion shtetëror.
A po rikthehet historia?
Ndërkohë që në Kosovë:
• 10% e Policisë së Kosovës përbëhet nga komunitetet pakicë
• Më shumë se gjysma janë nga komuniteti serb
• Vetëm në 3 konkurse të fundit janë pranuar 210 policë serbë të rinj
Në Serbi, në tri komunat me shumicë shqiptare – nuk është pranuar asnjë shqiptar.
Ky është një shembull i qartë i dy standardeve që minojnë çdo mundësi për integrim dhe përfaqësim të ndershëm.
Përjashtimi nuk është thjesht padrejtësi – është shkelje e marrëveshjeve dhe kërcënim për sigurinë dhe të ardhmen e përbashkët.
U bëj thirrje institucioneve kompetente që të ndalojnë këtë trajtim diskriminues dhe t’i rikthehen frymës së Marrëveshjes së Konçulit, duke mundësuar përfaqësim të barabartë të shqiptarëve në institucionet shtetërore të sigurisë.