FSK me Komandën Evropiane dhe SHBA nënshkruajnë marrëveshje në fushën e Kibernetikës

SYRI TV

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) sot ka nënshkruar një Marrëveshje me Komandën Evropiane të SHBA-ve (EUCOM), në fushën e Kibernetikës.

Sipas Njoftimit të FSK-së, Marrëveshja e Bashkëpunimit për Ndërveprueshmëri dhe Siguri në Komunikim (CISMOA) është nënshkruar nga gjenerallejtënant Bekim Jashari i FSK-së dhe nga gjeneral major John Phillips, Drejtor i Komunikimit dhe Kibernetikës në EUCOM.

“Fillimisht Gjeneral Jashari falënderoi Gjeneralin Phillips për bashkëpunimin korrekt dhe profesional në mes të FSK-së dhe EUCOM. Pastaj u diskutua për rreziqet nga sulmet kibernetike dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë së informacionit dhe komunikimit. Gjeneral Major Phillips përgëzoi Gjeneral Jasharin për arritjet që janë bërë në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.” – thuhet në Njoftimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas FSK-së kjo Marrëveshje është e një rëndësie të veçantë, pasi që mundëson shkëmbimin e informacioneve të sigurta, kriptografike dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar të Mbrojtjes nga FSK.

“Marrëdhëniet e FSK-së me aleatët e saj strategjikë janë të rëndësishme në fuqizimin dhe zhvillimin e saj, e në linjë me këtë Komanda e Forcave Amerikane për Evropë (EUCOM) do të vazhdojë të luajë një rol kyç në ngritjen e kapaciteteve të Mbrojtjes.” – bëhet e ditur në Njoftimin e FSK-së.