Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në fjalën e tij në Nënkomitetin për Ballkanin Perëndimor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që u zhvillua në Beograd, foli edhe për shqiptarët në Luginë të Preshevës.
Basha tha gjatë fjalimit të tij se nuk mund të përdoret standard i dyfishtë nga Beogradi, i cili kërkon të drejtat e pakicës serbe në Kosovë dhe nuk respekton të drejtat e pakicës shqiptare në Serbi.
Ai ngriti disa shqetësime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, siç janë pasivizimi i adresave, moslejimi i teksteve shkollore dhe simboleve kombëtare, mosintegrimi i shqiptarëve në administratën publike dhe shërbimi i detyrueshëm ushtarak.
“Kam pasur mundësinë të vizitoj komunat e Preshevës dhe Bujanocit. Ata më paraqitën shqetësime që jam i sigurt se i janë paraqitur gjithashtu edhe autoriteteve në Beograd. Kjo është një çështje e vjetër e pasivizimit të adresave. Kjo përjetohet dhe shihet nga popullsia shqiptare atje si një pastrim etnik i heshtur i këtij rajoni. Pra, kjo është diçka që duhet të trajtohet nga autoritetet në Beograd me transparencë dhe në përputhje me angazhimet që kanë në kuadër të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”- ka thënë Basha.
E njëjta problematikë ka thënë Basha është edhe me tekstet shkollore dhe me simbolet kombëtare, dhe punësimin në institucione publike e administratë.
Basha ka përmendur si problem për shqiptarët e Luginës edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
“Mendoj se këto duhet të merren parasysh në çdo lloj legjislacioni që miratohet, duke lejuar alternativa që nuk e bëjnë këtë masë si masat e tjera të duken të detyrueshme, dhe në një farë mënyre të çojnë në largimin e më shumë të rinjve nga vendlindja e tyre”- tha Basha.
Basha ka kërkuar nga qeveria në Beograd që t’i japë fund pasivizimit të adresave, të lejojë simbolet kombëtare, të lejojë tekstet shkollore për fëmijët dhe të lejojë integrimin e shqiptarëve në Preshevë, në Bujanoc, në Medvegjë, që të shërbejnë në mënyrë proporcionale në administratën publike.
Po ashtu Basha kërkoi nga qeveria serbe të sigurojë të drejtat bazë që garantohen nga kushtetuta dhe ligjet për çdo qytetar.