Postimet, komentet, videoklipet, fotot, të dhënat e shumta personale që shpërndahen publikisht përmes Instagram-it, Facebook-ut dhe aplikacioneve të tjera në pronësi të kompanisë Meta, që nga fundi i qershorit, nuk janë përmbajtje që ne ndajmë vetëm me miqtë.
Duke ndryshuar politikën e privatësisë së Meta-s, ato mund të bëhen material për trajnimin e inteligjencës artificiale të zhvilluar nga kjo kompani amerikane.
Gjithçka ndodhi pa njoftim e pa shpjegim dhe miliona përdorues në Ballkanin Perëndimor nuk u informuan as për “Politikën e Privatësisë” së re të Meta-s, e cila u publikua më 26 qershor.
Në një dokument, të cilin e ka analizuar Radio Evropa e Lirë (REL), kompania Meta thekson nisjen e një shërbimi të ri – që është mundësia për të krijuar tekst, zë, imazhe dhe video përmes inteligjencës artificiale. Meta mbledh përmbajtje të publikuara që përdoruesit ndajnë përmes platformave të kompanisë, ndaj dhe shërbimi i ri që ofron nëpërmjet zhvillimit të inteligjencës artificiale do të bazohet në këtë praktikë.
Përdoruesit nga Ballkani Perëndimor nuk ishin të informuar për risinë, ndërsa qytetarët e Bashkimit Evropian, kur hynin në platforma, morën një paralajmërim se politika po ndryshonte dhe më pas kishin opsionin për të tërhequr të dhënat nga trajnimi i planifikuar i inteligjencës artificiale.
Kur gjithçka vihet në kontekst me ligjet vendëse në rajon, Meta ishte e obliguar të ofronte të njëjtin opsion edhe për përdoruesit në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Serbi, në Bosnje e Hercegovinë, dhe në Mal të Zi.
Zgjidhjet ligjore ekzistojnë në vendet e Ballkanit dhe më së shumti janë të harmonizuara me ato evropiane, kur bëhet fjalë për përpunimin e të dhënave personale, tregon analiza e REL-it.
Megjithatë, institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e të dhënave personale në këto vende nuk kanë shumë instrumente për të reaguar, thanë përfaqësuesit e tyre për Radion Evropa e Lirë.
Si një nga problemet më të mëdha, ata shprehen se Meta nuk ka emëruar as përfaqësues në vendet e Ballkanit, me të cilët institucionet do të bashkëpunonin.
Në të njëjtën kohë, Meta nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për ndryshimet e politikës së privatësisë dhe efektet e tyre te përdoruesit nga Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, dhe Bosnje e Hercegovina.
Çfarë sjell politika e re e kompanisë Meta?
Politika e privatësisë përfaqëson një lloj kontrate midis përdoruesve të platformës dhe kompanisë që ofron produkte dhe shërbime të ndryshme digjitale. Pjesa më e rëndësishme e këtyre dokumenteve është se çfarë të dhënash mbledh dhe si përpunohen nga platforma digjitale. Meta po ndryshon politikën e saj pikërisht në këto fusha të rëndësishme.
Zhvillimi i inteligjencës artificiale përmendet për herë të parë si arsye për përpunimin e të dhënave të përdoruesve të Meta-s, sipas një analize të Politikës së Privatësisë, e cila është e disponueshme për publikun përmes platformës Facebook të Meta-s. Konkretisht, në pjesën e politikës “Si dhe pse i përpunojmë të dhënat tuaja”, kompania Meta liston, nga njëra anë, një sërë shërbimesh dhe produktesh që ofron, dhe nga ana tjetër, lloje të ndryshme të të dhënave të përdoruesit që mbledh për këto qëllime.
Siç thuhet në dokument, ka të bëjë me përmbajtjen e publikuar që përdoruesit lënë në platforma të tilla si të dhënat e profilit, emri, emri i përdoruesit, fotografia e profilit, pastaj komentet në rrjetet sociale, si dhe përmbajtje video dhe audio që shpërndahen publikisht.
Meta mbledh edhe të dhëna për përmbajtjen që i kushtojnë vëmendje përdoruesit, domethënë mbledh të dhëna se si reagohet ndaj përmbajtjeve të ndryshme, kohës së përdorimit dhe shpeshtësisë së ndërveprimeve në rrjete të caktuara të kontrolluara nga Meta.
Lista nuk ndalet me kaq. Ajo përmend, gjithashtu, «mesazhet që dërgoni dhe merrni, përfshirë përmbajtjen e tyre, në përputhje me ligjet në fuqi», si dhe të dhëna për pajisjet nga të cilat keni qasje në Facebook ose Instagram.
Meta ka informacione shumë të ndjeshme
“Nëse shikojmë Meta-n, e veçanta në këtë rast është se ata kanë qasje në platforma, si WhatsApp, Instagram dhe Facebook, të cilat kanë mijëra miliona, në fakt miliarda përdorues dhe profile, ku gjenden informacione të ndjeshme», tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë avokati Felix Mikolasch.
Mikolasch është avokat i organizatës NOYB (Non Of Your Business) me qendër në Austri, e cila ishte një nga më aktivet në paraqitjen e padive në mënyrë që të ndalojë planet e Meta-s në nivel të Bashkimit Evropian.
Radio Evropa e Lirë nuk arriti të gjente përdorues të platformave të Meta-s nga Ballkani Perëndimor, të cilët ishin njoftuar për ndryshimin e politikës së privatësisë».
Ai shton se, ndryshe nga kompanitë e tjera që zhvillojnë inteligjencën artificiale (IA), ka shumë informacione që Meta mund t’i përdorë e të cilat platformat e tjera nuk mund t’i mbledhin nga interneti dhe kjo e bën këtë rast më problematik sesa kur bëhet fjalë për zhvillimin e modeleve tjera të IA-së.
Megjithatë, ai thekson se rastet e keqpërdorimit të të dhënave personale përmes modelit të IA-së nuk janë dokumentuar ende.
Duke komentuar Politikën e Privatësisë, Mikolasch thekson se dy gjëra janë kryesore – që kompania nuk ka kërkuar pëlqimin e përdoruesve që të dhënat e tyre të përdoren për të trajnuar inteligjencën artificiale, por gjithashtu se modeli i inteligjencës artificiale që zhvillon nuk përshkruhet në detaje.
«Ne mund t’i përdorim këto të dhëna për çdo qëllim, nuk e dimë saktësisht se për çfarë do t’i përdorim, thjesht do t’i përdorim në përgjithësi për teknologjinë IA. Kështu që nuk u jep asnjë informacion përdoruesve», thotë Mikolas dhe shton se kompania duhet të jetë më transparente.
Ballkani pa mundësi për të dalë nga trajnimi i IA-së
Ndërkohë që organizatat dhe ekspertët në BE luftonin që Meta t’i trajtojë më me kujdes qytetarët e BE-së, rajoni mbeti në një lloj errësire.
Radio Evropa e Lirë nuk arriti të gjente përdorues të platformave të Meta-s nga Ballkani Perëndimor, të cilët ishin njoftuar për ndryshimin e politikës së privatësisë. Meta nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it se si i informoi përdoruesit nga Serbia, Bosnje e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova për mbledhjen e të dhënave.
Ekspertja për të drejtat digjitale dhe mbrojtjen e të dhënave personale, Ana Toskiq Cvetinoviq, nga organizata “Partnerët e Serbisë”, thotë se Ballkani Perëndimor në këtë rast u gjend në një lloj zone gri.
“I gjithë rajoni ynë është në një pozicion specifik – gjendet në Evropë dhe është në proces të integrimit në BE – dhe rregulloret tona janë kryesisht të harmonizuara me rregulloret e BE-së, por mekanizmat që kemi në dispozicion nuk janë aq efikas sa ato në BE», thotë për REL-in Toskiq Cvetinoviq.
Ajo thekson se në fund të muajit korrik organizata “Partnerët e Serbisë” i ka dorëzuar Komisionarit të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave Personale një iniciativë për fillimin e procedurës ndaj kompanisë Meta për shkelje të ligjit në Serbi. Të njëjtën iniciativë ka paralajmëruar edhe organizata SHARE, e cila merret me mbrojtjen e të drejtave digjitale.
Ajo shton se kompania Meta kishte detyrim ligjor t’i informonte qytetarët për politikën e re, e cila ishte thelbësore, jo teknike.
Kush i mbron të drejtat digjitale të qytetarëve në Ballkanin Perëndimor?
Ligjet ekzistojnë, por janë të vështira për t’u zbatuar, sipas disa organeve të pavarura për mbrojtjen e të dhënave personale në Ballkanin Perëndimor. Meta nuk ka një përfaqësues të emëruar në asnjë nga pesë vendet ballkanike, dhe aktualisht autoritetet e mbrojtjes së të dhënave nuk po insistojnë për këtë përmes një nisme të përbashkët.
Në Kosovë, me mbrojtjen e të dhënave personale merret Agjencia e Informimit dhe Privatësisë, e cila si institucion i pavarur raporton për punën e saj në Kuvendin e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua kësaj Agjencie duke e pyetur nëse është në dijeni për vendimin e kompanisë Meta për ndryshimin e politikës së privatësisë, nëse po shqyrtohet çështja dhe si mund të mbrohen të drejtat dhe të dhënat personale të qytetarëve të Kosovës.
Megjithatë, asnjë përgjigje nuk erdhi.
REL-i ka kërkuar përgjigje edhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës, nga i cili deklarojnë se nuk e kanë shqyrtuar çështjen e përpunimit të të dhënave personale për qëllime të zhvillimit të inteligjencës artificiale nga kompania Meta.
“Kur Avokati i Popullit vlerëson se është shkelur e drejta e privatësisë, ka mandat ta shqyrtojë atë nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut”, thuhet në përgjigjen me shkrim të këtij institucioni për REL-in.
Zyra e Komisionarit për Mbrojtjen e të Dhënave në Serbi bën të ditur se në periudhën e ardhshme do të kontaktojnë kompaninë Meta në lidhje me ndryshimin e politikës së privatësisë.
Ana Toskiq Cvetinoviq beson se komisionari duhet të kishte informuar publikun se çfarë sjellin ndryshimet në politikën e privatësisë së Meta-s.
“Për një ndryshim të tillë, komisionari duhet t’i kishte vënë në dijeni qytetarët, por duke qenë se kjo nuk është bërë tani, duhet të fillojë procedimi ndaj kompanisë Meta për të përcaktuar paligjshmërinë e mundshme në përpunimin e të dhënave”, thekson ajo.
Zyra e Komisionarit sqaron se nisja e procedimit ndaj kompanisë Meta ka qenë e vështirë për shkak se kjo kompani nuk ka një përfaqësues në Serbi, gjë që është një detyrim sipas Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.
“Pa praninë e përfaqësuesve të këtyre kompanive, qytetarët tanë nuk mund të ushtrojnë plotësisht të drejtën e tyre për mbrojtjen e të dhënave personale dhe as të ushtrojnë të drejtat individuale në mënyrë të thjeshtë”, thuhet nga kjo zyrë.
Ligjet janë të harmonizuara me ato evropiane, por disa dispozita mbeten të pazbatueshme, sqarojnë nga Zyra e Komisionarit në Serbi dhe thonë se pikërisht këtë e tregon shembulli me ndryshimet në politikën e Meta-s. I njëjti problem është theksuar edhe në Maqedoninë e Veriut.
Sipas ligjit vendës, ata që përpunojnë të dhënat personale duhet të caktojnë një përfaqësues të autorizuar në Maqedoninë e Veriut, gjë që nuk është rasti me kompaninë Meta, thekson Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në këtë vend.
Ndërkaq, Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e Malit të Zi, e cila zbaton Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në këtë vend, thekson se do të harmonizohen me praktikën evropiane.
“Ne jemi duke monitoruar nga afër se si do të zhvillohet çështja në nivel të BE-së, do të ndjekim pikëpamjet e organeve të pavarura në rajon, do të përcaktojmë veten sipas standardeve më të mira të së drejtës evropiane”, shpjegon Muhamed Gjokaj, anëtar i Këshillit të Agjencisë në Mal të Zi.
Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Bosnje e Hercegovinë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it për ndryshimet e sjella nga politika e re e Metës deri në publikimin e tekstit.
Kjo Agjenci ka kërkuar vazhdimisht miratimin e një ligji të ri për të dhënat personale në Bosnje e Hercegovinë, që do të harmonizohej me Rregulloren e përgjithshme të BE për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) dhe Konventën 108, të cilën shteti e ka nënshkruar.
Ligji ekzistues, vlerësoi më parë Agjencia, nuk është i mjaftueshëm për të zgjidhur të gjitha problemet që kanë lindur për shkak të zhvillimit të teknologjive të informacionit, proceseve të digjitalizimit, përdorimit masiv të mbikëqyrjes video dhe audio, dhe inteligjencës artificiale.
Modeli IA i Meta-s pezullohet në BE
Kompania Meta njoftoi në mesin e qershorit se do të ndalojë trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale duke përdorur të dhënat e publikuara publikisht të qytetarëve të Bashkimit Evropian.
Ky hap i kompanisë është përshëndetur nga Komisioni për Mbrojtjen e të Dhënave në Dublin, duke thënë në një deklaratë se vendimi pasoi diskutime intensive mes këtij organi dhe kompanisë. Meta është e regjistruar në Irlandë, ndaj me ligj është autoritet kompetent për mbrojtjen e të dhënave personale në këtë vend.
«Nuk kemi asgjë për të shtuar më tej, procesi është ende në vazhdim», tha Komisioni në Dublin duke iu përgjigjur një sërë pyetjesh nga REL-i në lidhje me planet e kompanisë Meta për të trajnuar një model të inteligjencës artificiale duke përdorur të dhëna nga përdoruesit e platformave në pronësi të saj.
Njoftimet e kompanisë Meta se modeli i inteligjencës artificiale do të trajnohet me ndihmën e përmbajtjeve nga platformat Facebook dhe Instagram u ndërprenë në fillim të korrikut edhe në Brazil.
Ky vend i Amerikës Latine është një nga përdoruesit më të mëdhenj të platformave të Meta-s.
Në fillim të korrikut, Organi Kombëtar për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Brazil (ANPD) detyroi kompaninë Meta të pezullojë përpunimin e të dhënave personale për trajnimin e inteligjencës artificiale.
Një masë e përkohshme u miratua duke urdhëruar Meta-s të përjashtonte të dhënat personale nga materialet e trajnimit të inteligjencës artificiale. Nëse nuk e zbaton vendimin, kompania do të gjobitet me 50 mijë dollarë në ditë.
Sipas të dhënave të disponueshme publikisht, vendimi i rregullatorit brazilian nga fillimi i korrikut të këtij viti ka mbetur i pandryshuar. Kompania Meta e vlerësoi këtë vendim si ndalues të zhvillimit të inteligjencës artificiale në Brazil.
Megjithatë, trajnimi i inteligjencës artificiale për përmbajtje nga platformat në pronësi të Metës nuk është ndalur në të gjitha anët e botës.
Disa vende më të vogla në Amerikën Latine, si Argjentina, ndajnë një fat të ngjashëm me vendet e Ballkanit. Ekspertët në këtë rajon mendojnë se arsyeja për këtë është mungesa e një kuadri ligjor. Të dhënat e përdoruesve të SHBA-së nga Meta do të përdoren gjithashtu për të trajnuar modelet e AI, pasi ligjet janë më pak strikte se në Evropë.