Një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur rëndë rreth orës 00:55 të enjten në Loznicë të Serbisë, ka konfirmuar ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq. Daçiqi ka thënë se në vendngjarje u gjet pasaporta e një kosovari, i cili sipas tij, është i dyshuari kryesor për vrasjen.
Përveç pasaportës, në vendngjarje, sipas Daçiqit, është gjetur edhe një dokument gjerman i identifikimit. I dyshuari është me inicialet A.H., viti i lindjes 1991. Personi tjetër, siç raporton «N1», është arrestuar megjithëse nuk i dihet identiteti.
Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Brendshme, Daçiq ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë, teksa kanë qenë duke kontrolluar veturat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, e kanë ndaluar një veturë të llojit Mercedes, me targa të Tutinit të Serbisë, në të cilën kanë qenë dy persona.
Më pas, njëri prej personave, sipas Ministrisë, ka shtënë me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikolla Kërsmanoviq në gjoks, dhe zyrtarin policor Iliq Vjekosllav në shpatull, dhe më pas ka ikur. Të dy zyrtarët policorë janë transportuar në Spitalin e Lozninës, dhe Kërsmanoviq ka vdekur prej plagëve të marra.
Policia serbe ka ngritur dronë e helikopterë në kërkim të të dyshuarit.
Loznica është afër kufirit mes Serbisë dhe Bosnjës.
KOHA është në pritje të përgjigjes nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës në lidhje me rastin.