Në Shtime Vajza ther me thikë babain e saj

SYRI TV

Një vajzë është arrestuar në Shtime pasi dyshohet të ketë therë babain e saj me thikë.

Policia rastin e ka cilësuar si “lëndim i lehtë trupor dhe dhunë në familje”.

Rasti ka ndodhur në mbrëmjen e së hënës.Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, për Portalin Dukagjini ka thënë se pas një mosmarrëveshjeje dy persona kanë marrë lëndime të lehta trupore, ndërsa dyshohet se njëri person është lënduar me mjet të mprehtë (thikë) nga vajza e tij.

Ai ka thënë se palët e involvuara në këtë rast kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa e dyshuara është dërguar në mbajtje.

“Më datë 06.05.2024 rreth orës 21:40, policia e Shtimes ka pranuar një informatë se në Shtime është një rast i lëndimit trupor. Pas një mosmarrëveshje, dy persona kanë marrë lëndime të lehta trupore, ndërsa dyshohet se njëri person është lënduar me mjet të mprehtë-thikë nga vajza e tij. Palët e involvuara në rast janë dërguar për tretman mjekësor në qendrën emergjente ne Shtime. Lidhur me rastin është kontaktuar dhe njoftuar prokurori kujdestar dhe me urdhrin e tij e dyshuara ndalohet për 48 orë dhe dërgohet në qendrën e ndalimit Ferizaj”, ka thënë Veseli.

Ndërkaq, në raportin 24-orësh policia kishte njoftuar se është arrestuar e dyshuara femër kosovare, pasi që e njëjta pas një mosmarrëveshjeje kishte sulmuar viktimën mashkull kosovar, babanë e saj.

“Shtime 06.05.2024, 21:15. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare, pasi e njëjta pas një mosmarrëveshjeje kishte sulmuar viktimën mashkull kosovar, babanë e saj. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa e dyshuara pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.