Qytetarët e Maqedonisë së Veriut u janë drejtuar kutive të votimit për zgjedhjet presidenciale. Në garë janë shtatë kandidatë, prej tyre dy shqiptarë.
Vendvotimet janë hapur nga ora 07:00, ndërsa do të zgjasin deri në orën 19:00. Numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në listën zgjedhore është 1.814.317.
Për të fituar në rundin e parë, një kandidat duhet të marrë 50 për qind plus një të votave. Duke marrë parasysh se janë shtatë kandidatë, gjasat që kjo të ndodhë janë shumë të vogla. Prandaj, pritet të ketë rund të dytë në të cilin do të shkojnë dy më të votuarit. Rundi i dytë pritet të mbahet më 8 maj, ditën kur janë edhe zgjedhjet parlamentare.
Shqiptarët janë të ndarë në dy fronte edhe në këto zgjedhje. Koalicioni “Fronti Evropian” ka kandidat Bujar Osmanin, ndërsa koalicioni VLEN ka Arben Taravarin, kandidati që u mbështet edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.