Shkruan Prof. Dr. Enver Bytyçi
Prej vitesh shkruaj në reagim të politikave të brendshme dhe sidomos lidhur me Kosovën të kryeministrit tone, Edi Rama! Aq shumë kanë reaguar përkrahësit e Ramës, sa ndonjëherë më kanë vënë në dilemën: – Mos po gaboj, ose së paku po e teproj me kritikat ndaj kryeministrit të Shqipërisë?! Ju them me sinqeritet, do isha shumë i lumtur të kisha gabuar, sepse nga gabimet e mia kritike ndaj zotit Rama nuk e pësonte Shqipëria, Kosova dhe as shoqëria shqiptare.
E pësoja vetëm unë dhe zhgënjeheshin disa lexues që më besojnë mua. Kaq dhe vetëm kaq! Por fatkeqësisht çdo ditë e më shumë bindem se kritikat e mia janë një pike uji në oqean, sepse është dasht që të gjithë analistët, akademikët, njerëzit e penës, të artit, të kulturës, të gjithë ata që e duan atdheun dhe kombin, që kanë familje dhe e duan atë, pra të gjithë ata që e duan Shqipërinë dhe Kosovën të kishin reaguar në atë masë që kam reaguar unë e shumë kolegë të mij. Tashmë jam i bindur për këtë. Tashmë nuk ka asnjë mëdyshje se Shqipëria dhe Kosova janë në rrezik serioz nga një kryeministër të lidhur me krimin dhe një familje kryeministrore mafioze. Kam shkruar se Edi Rama të gjithë bashkëpunëtorët e tij i zgjedh sipas kriterit të aftësisë dhe besnikërisë që përcakton kodi i mafies.
Nëse ke kontribute në krimin e organizuar, nëse ke eksperiencë pune në organizatat mafioze, nëse ke guxim të vjedhësh, të grabisësh, të korruptosh e të korruptohesh, atëherë i ke plotësuar të gjitha kriteret e emërimit ministër, kandidat për deputet, zv. Ministër dhe drejtor i madh apo i vogël, shef prokurimesh, ose tender-dhënës, drejtues në tatime apo në dogana, kryepolic apo Komisar e drejtor policie etj. Nuk ka shans ndryshe! Të njëjtat kritere si edhe shefi i tij ka ndjekur gjithashtu kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Po ashtu ministrat dhe vartësit e tyre, si dhe kryetarët e tjerë të bashkive. Engjëll Agaçi u zgjodh i pari sipas këtyre kritereve dhe më pas të gjithë të tjerët, radhë pas radhe e njëri-pas tjetrit. Por kryeministri ka sajuar formulën, sipas së cilës, „Kush ha dardha prapa shinpës time, ka përgjegjësi personale”! D.m.th se ai i zgjedh sipas kritereve të lartpërmendura njerëzit e mafies në pushtet. Dhe i ka porositur ata që gjithçka ta ndajnë bashkë, të jenë transparentë dhe të mos ia marrin atij pjesën e vet.
Ndryshe konsiderohet se këta “hanë dardha pas shpine dhe do t’i lëshojë nga dora për t’i çuar në SPAK”! SPAK, nga ana e tij, është porositur që të demaskojë publikisht dardha-ngënësit pas shpinës së dardha-bërërsit! Identik si në kodin e mafies. Nëse fsheh diçka nga paratë e drogës, ndëshkohesh. Nëse tradhton, vritesh! Nuk ka asnjë kuptim tjetër formula e Edi Ramës për dardhat pas shpine. Që kur i merr pranë vetes, ai i paralajmëron mafiozët në stilin, po ma drodhe, të përdredh! Reportazhi i RAI3 është dëshmi e gjithë asaj çfarë është thënë e stërthënë për qeverisjen mafioze të Edi Ramës.
E dija se me vendimet e tij do të prishë ekuilibrat dhe do të krijojë kundërshtarë. Marrëveshja për refugjatët me Melonin bëri punën e vet. Zgjoi interesat e opozitës italiane që të godasin kreun e ekzekutivit shqiptar dhe të sjellin dëshmi se ai është kapoja i kupolës mafioze të pushtetit të Rilindjes në Shqipëri. Për këtë kanë fakte e dëshmi jo vetëm italianët, por edhe britanikët, gjermanët, francezët, hollandezët e të gjithë anët dhe ezët e tjerë europianë. RAI3 nxori në skenë veçmas lidhjet e Olsit me mafien. Olsi ishte trajnuar në këto lidhje që kur i vëllai i tij, ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Sapo Edi u bë “mbreti” i Shqipërisë, Olsi erdhi në Shqipëri. U maskua si president i “Partizanit”!