Përse Escobar dhe Lajçak deri më tani nuk kanë takuar përfaqesuesit e Kosovës Lindore

SYRI TV
Shpreh keqardhje që z.Gabriel Escobar dhe z.Miroslav Lajçak, nuk kanë takuar ende të zgjedhurit e shqiptarëve në Republikën e Serbisë.
I kuptueshëm takimi i fundit me përfaqësuesit serbë të veriut të Kosovës, duke i marrë parasysh zhvillmet. Por e pakuptueshme mungesa e takimeve me të zgjedhurit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Kjo qasje madje edhe mund të kontribuojë në dërgimin e mesazheve të gabuara për qarqet që po nxisin destabilizimin e gjendjes së sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Shqiptarët në Luginën e Preshevës në veçanti dhe ata në Serbi në përgjithësi, si komunitet joshumicë, mbeten të diskriminuar dhe të shtypur. Këtë e konfirmojnë me dekada edhe raportet e ndryshme zyrtare të instancave të Bashkimit Evropian dhe të administratave respektive amerikane.
Lugina e Preshevës si rajon dhe shqiptarët në Serbi përballen me shumë probleme për shkak të mosnormalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Shumë të diplomuarëve shqiptarë në universitetet e Kosovës, shtetas të Republikës së Serbisë, nuk u njihen diplomat për rreth 16 vite me radhë. Ky është vetëm njëri prej problemeve që ndërlidhet me raportet Kosovë-Serbi. Shumë çështje që trajtohen në dialogun Kosovë-Serbi kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me Luginën e Preshevës si rajon, e me shqiptarët e Serbisë në përgjithësi.
Prandaj është kundërproduktive që në një proces normalizimi të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë të përfshihet çështja e komunitetit joshumicë serb të Kosovës dhe jo edhe çështja e komunitetit joshumicë shqiptar në Serbi.
Harmonizimi i sotëm i standardeve të të drejtave të komuniteteve joshumicë midis dy vendeve dialoguese është në interes të paqes së nesërme midis tyre. E jo vetëm.
Prandaj, z.Escobar dhe z.Lajçak, ju ftoj që të takoni edhe të zgjedhurit e shqiptarëve në Serbi të paktën për të na dëgjuar.