Do të jetë garë e ashpër për vendin e dytë në zgjedhjet e radhës

SYRI TV

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se sa më herët që mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Kosovës do të jetë aq më mirë. Sipas tij, në zgjedhjet e ardhshme gara do të jetë për vendin e dytë.

Në një deklaratë për mediat, Konjufca ka përmendur sondazhet që sipas tij po e nxjerrin Vetëvendosjen të parën me përqindje të lartë.

“Sa më herët ma merr mendja aq më mirë për Kosovën, mirëpo natyrisht që Qeveria i ka planet e veta, i ka edhe projektet që është duke i realizuar e pastaj në bazë të këtyre dyjave duhet të gjejmë një drejtpeshim në kohën më të mirë të zgjedhjeve e cila do të bëhet pas konsultimeve që i kemi me subjektet politike, po edhe mes kryeministrit, presidentes e edhe mes meje si kryeparlamentar”, u shpreh Konjufca, raporton “EkonomiaOnline”.

Ai e ka komentuar edhe koalicionin që pritet të lidhet ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.

“Koalicionet kanë ndodhur e ndodhin edhe tash. S’është befasi. Aleanca ka qenë edhe më herët në një koalicion me Nismën. Po ndodh sërish. Vetëm u uroj suksese. Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, sondazhet janë, opinioni po hulumtohet vazhdimisht edhe prej organizatave edhe partive që po i porosisin këto sondazhe. Rezultatet janë të qarta, unë mendoj që gara ka me qenë një garë e ashpër për numrin dy në skenën politike të Kosovës”, ka deklaruar Konjufca, pas homazheve te busti i Kadri Zekës.

Zgjedhjet e rregullta në Kosovë pritet të mbahen më 2025.