Nagavci: Mësimdhënësit do t’i nënshtrohen testimit

SYRI TV

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se është e bindur që mësimdhënësit do të aplikojnë për t’u pajisur me licencë të avancuar, që nënkupton nënshtrimin e testit me shkrim.

Nagavci në eventin përmbyllës të Projektit QATEK, i cili ka për qëllim fillimin e një sistemi për përgatitjen e mësimdhënësve të rinj të orientuar në cilësi, ka thënë se duhet të punohet në përmirësimin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.

“Projekti QATEK synon ngritjen e orientimin e mësimdhënësve në një mësimdhënie cilësore”, ka thënë ajo të merkurën. “Ne tashmë kemi miratuar pakon ligjore për licencimin e mësimdhënësve. Aty kemi licencën e avancuar për të cilën jam e bindur që ka mësimdhënës të cilët do të aplikojnë për këtë licencë”, ka shtuar Nagavci.

“Angazhimi jonë duhet të jetë edhe pas rezultateve të PISA-së, për të cilën tashmë kemi bërë një bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit për analizimin e këtyre rezultateve”, ka thënë më tej ministrja Nagavci.

Dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi, ka deklaruar se edukimi i mësimdhënësve të rinj duhet të fokusohet që përgatitjet e tyre të jenë në hap me ndryshimet bashkëkohore.

“Ka dekada që flasim për mësimdhënës më ndryshe. Ndryshimi i mirëfilltë vije kur kuptohet problemi brenda institucionit. Edhe sot motoja është valide se Kosova ka nevojë të ndërpresë rrugën nga ajo që ka bërë deri më tani, duke pranuar studentë me numër të madh, por të fokusohet në edukimin cilësor të mësimdhënësve”, ka thënë Saqipi.

Projekti QATEK është bashkëpunim i Fakulteteve të Edukimit në institucione publike të arsimit të lartë dhe i Universitetit të Talinit, Universitetit të Lubljanës dhe Universitetit të LUMSA në Itali shkruan KOHA.