Fluturimi i parë i kosovarëve pa viza u bë sot në orën 8:00 të mëngjesit. Derisa një fluturim tjetër i veçantë do të jetë me fillim nga ora 10:30.Kjo pasi Qeveria e Kosovës në kuadër të fushatës informuese e ka organizuar udhëtimin e parë pa viza për fituesit me fat nga kuizi i BE.
Kujtojmë se Komisioni Evropian ka vlerësuar që nga korriku i vitit 2018, se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Por, për shkaqe politike dhe reflektime të brendshme, vendimi ishte shtyrë.
Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u botua të martën e 25 prillit në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian. Me këtë veprim u përmbyll edhe formalisht i gjithë procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Vendimi pritej të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024, për të gjithë qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta biometrike të lëshuara nga shteti i Kosovës.
Komisioni Evropian në vendimin për liberalizim kishte sqaruar se bartësit e pasaportave të Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, vend që nuk e njeh as pavarësinë e Kosovës, as pasaportat e saj.
Shtetet që përfshihen në vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Norvegjia, Lihtensteini dhe Islanda.