Meloni ia kërkoi Vuçiqit njohjen ‘de jure’ të Kosovës, shkruan La Republika

SYRI TV

Vizita e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, të dielën në Serbi, duhet të shihet jo sikur një vizitë e rëndomtë, por sikur një vizitë e rëndësishme në një momentum të ri gjeopolitik – një element thelbësor në kuadër të përgjigjes së Bashkimit Evropian (BE) ndaj përpjekjeve destabilizuese të Rusisë në Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga ripërtëritja e tensioneve.

Ky është vlerësimi i prestigjozes italiane “La Repubblica” mbi vizitën e shefes së ekzekutivit italian në Beograd të dielën e 3 dhjetorit, ku edhe ka takuar presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, pikërisht në dritën e përpjekjeve të Rusisë për të shkaktuar një varg të ri të turbulencave në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë.

Në margjinat e takimit në pallatin presidencial serb, i cili në të kaluarën ka pritur shumë delegacione shtetërore të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, zyrtarët italianë, siç thuhet në artikull, janë shprehur “shumë të shqetësuar” për aktivitetet e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në drejtim të shkaktimit të problemeve për BE-në dhe NATO-n.

Meloni, pas mbi një ore diskutime, shkruan ndër të tjera gazeta, ka përsëritur mbështetjen e Italisë për anëtarësimin e Serbisë në familjen evropiane, por në këmbim të njohjes së Kosovës. Në të njëjtën kohë, presidenti serb, sipas prestigjozes italiane, ka kërkuar të përshpejtohet procesi i anëtarësimit, në dritën e rritjes së nacionalizmit të ekstremit të djathtë.

Gjithashtu, shefja e ekzekutivit italian ka njoftuar se në këtë takim një rëndësi të veçantë i ka kushtuar edhe procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, ndërsa ka shtuar se Italia mbështet rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit të plotë në familjen evropiane, duke ofruar edhe ndihmë në përmbushjen e kritereve të Komisionit Evropian (KE).

“Për ne është e rëndësishme që Ballkani Perëndimor t’i bashkohet familjes evropiane. Italia do të jetë krah Serbisë. E di që Serbia do të vazhdojë të ketë një qasje konstruktive ndaj dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Italia e mbështet fuqimisht këtë proces dhe ne po punojmë që të zbatohen të gjitha detyrimet që palët kanë marrë përsipër”.