Lideri i krahut ushtarak të Ismail Qemalit, është lindur më 15 janar 1864 në Buletin, por me prejardhje ishte nga fshati Isniq i Deçanit dhe njihej si Isa Shala. Ishte ushtar dhe pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit më 1878.
Ai kishte shkuar në Vlorë me 24-25 nëntor 1912 dhe këtë e dëshmon një fotografi, tek ecë çarshisë së Vlorës me trimat e tij, por për arsye ende të pazbardhura nga historiografia, nuk ka arritur në aktin e shpalljes së pavarësisë në Vlorë.
Me vite të tëra dhe nga goja e kinse dëshmitarëve është thënë se Isa Boletini ishte bashkëpunëtor i serbëve.
Por fakti i luftës së tij kundër Armatës së Tretë serbe në Merdarë me 1912, mu në kohën kur pandehej për aleat i serbëve, e demanton këtë mallkim; tjetër gjë ishte fakti se Boletini ishte një fshatar dhe i pashkolluar.
Historiani Noel Malcolm megjithatë dëshmon se Boletini nuk e kishte tradhtuar lëvizjen dhe as kryengritjen shqiptare.
Në gushtin e vitit 1912, Boletinit iu dërgua një sasi e madhe armësh; po kështu qe përhapur fjala se Serbia ia kishte paguar atij një shumë të madhe parash; por, siç do të tregojnë ngjarjet, nderi i tij nuk blihej aq lehtë.
Dita e vrasjes te Ura e Ribnicës
Me 19 janar 1916 në Podgoricë, te Ura e Ribnicës, i zënë me pabesi nga malazezët, vritet Isa Boletini.
“Pobjeda” e përditshme nga Titogradi, më 26 maj 1980 e botoi kronikën e atëhershme ku thuhej se ngjarja kishte ndodhur më 19 janar.
Kurse Tafil Boletini, nipi i Isa Boletinit, sipas Skënder Luarasit, dëshmon se ka qenë me 23 janar.
Gjithashtu, Milovan Djilas, shkrimtar dhe politikan gjatë regjimit komunist në Jugosllavi, e përshkruan Isa Boletinin në romanin “Besudna zemlja (Vendi i pafat)”, me një dozë admirimi për figurën e luftëtarit shqiptar.
Ai sjell një dëshmi të babait të tij, Nikolla Djilas, njeriu që kishte vrarë me dorën e vet Isa Boletinin. Falë talentit si shkrimtar atij i ra fati ta përshkruante vrasjen e Boletinit.
“Vendi i pafat” ose “Toka pa drejtësi” u botua në anglisht në Nju Jork në vitin 1956 dhe kritika letrare amerikane e cilësoi atë si një nga veprat më të mira të botës komuniste.
“Pra, për disa gjithë të mirat, për të tjerët gjithë më e keqja, nuk ka rrugë të mesme siç i ka hije, kampioni shqiptar i përket një kohe tjetër, botës së djeshme”, shkruante ai.
Në atë orë të kolapsit të përgjithshëm – Mali i Zi kapitulloi, Lufta e Parë Botërore filloi, Mbreti Nikolla u largua nga vendi, qeveria lëshoi një deklaratë se ushtria nuk ekziston më – Podgorica u sulmua nga heroi i famshëm arban Isa Boletini, nga fshati Buletin i Kosovës.
“Nëse për asgjë, ai mund të shpresonte të grabiste thesarin e qytetit. Frika dhe hallakama e plaçkitjet kishin mbretëruar kudo. Isa nuk mund të dyshonte as për grupin e babait tim, e cila nuk u shpërnda si pjesa tjetër e ushtrisë”, kujtonte Djilas.
Por, Tafil Boletini, pjesëmarrës në luftimet në Podgoricë, e mohon me forcë në kujtimet e tij, se Isa, një komandant i lavdishëm, mësynte ta plaçkiste qytetin.
Çeta e Krahëve ishin nga të gjitha repartet, pjesa më e sprovuar e ushtrisë malazeze. Në fakt, ishte një xhandarmëri ushtarake dhe ata e morën emrin nga shqiponja e madhe me krahë në kapelat e tyre.
Ata ishin të destinuar për rendin e brendshëm dhe dalloheshin, sipas Djilas, nga vendosmëria, mizoria, pamaturia dhe shkathtësia.
“Lufta me burrat e Bashibozukut të Isës nuk zgjati shumë, me gjithë guximin e egër që shfaqën arbanasit”.
Sulmi goditi edhe ndjekësit e tij më besnikë. Të gjithë nga rrethimi i afërt i Isait u vranë dhe të tjerët u shpërndanë. Vdiq edhe vetë Isë Boletini.
“Por, ai luftoi me këmbëngulje dhe për një kohë të gjatë, kur mbeti vetëm, në rrugën e zhveshur. I plagosur, ai u ngrit në gjunjë dhe ndonëse tashmë ishte shumë i dobët për të mbajtur pushkën, ai qëlloi nga pistoleta, për ta mbrojtur të paktën veten”.
“Babai u vërsul drejt tij dhe Arbanasi i egër mbështeti armën në dorën e majtë. Por ai nuk pati kohë të gjuante, tashmë ishte në shënjestër të një sulmuesi krahu dhe u rrëzua. Babai erdhi me vrap. Isa e shikoi me sytë e mëdhenj e të përgjakur, tha diçka në gjuhën e tij që i ati nuk e kuptonte dhe dha frymën e fundit”.
Se sa rëndësi ka patur për serbët dhe malazezët vrasja e Isa Boletinit e tregon një trofe që ndodhet ende në shtëpinë e familjes Djilas në Beograd.
Nikolla mori pistoletën e tij të madhe Mauser, me dorëzat prej hekuri, duke e mbajtur atë si një kujtim të dashur.
“Nuk është e çuditshme që ne fëmijëve na erdhi keq për Isa Boletinin. E vajtoi edhe baba, megjithëse ishte krenar që ishte ai që e ekzekutoi, me një pikëllim të veçantë, që ishte më shumë admirim për heroin e patrembur të Arbanisë së egër që lufton i vetëm deri në fund, në një fushë të shkretë dhe në një fushë të zbrazët”.
“Dhe në zinë tonë kishte vetëm admirim. Më shumë se çdo gjë tjetër. Kur të vdesësh është bukur të biesh si Isa i Buletinit. Mbetet një kujtim, të paktën për ata që panë dhe dëgjuan. Shumë më vonë, ne i thamë babait, duke e ngacmuar se kishim lexuar se Isa Boletini vdiq në Shkodër pikërisht tash”.
Varrimi i Isa Boletinit
Isa Boletini u varros dy dytë pas vrasjes në Podgoricë, në një ceremoni ku morën pjesë një numër i madh njerëzish.
Në vitin 1973, u bë kërkesa e parë për kthimin e eshtrave në vendlindje. Falë përpjekjeve të familjarëve dhe studiueseve varri u zbulua dhe më 15 nëntor të vitit 1979 u krye zhvarrimi.
Ndërkohë, pas 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, nisi procesi i verifikimit të eshtrave për të kryer një ceremoni zyrtare varrimi.
Instituti i Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Strasburgut, në janar të vitit 2014, konfirmoi se eshtrat e dërguara për ekzaminim ishin të Isa Boletinit.
Më 10 qershor 2015, Isa Boletini u varros në oborrin e kullës së tij në Buletin të Mitrovicës.
Huazuar nga Shefqet Mehmeti
Alle Reaktionen:
55
3 Kommentare
Gefällt mir
Kommentieren
Teilen
Weitere Kommentare ansehen
Lavdi !