Pazarllëqe politika të ngulfatura në një qorrsokak apo rinovim të domosdoshëm!?

SYRI TV

Shkruan: Lirim Begzati

Një debat i pafund për ndryshimet kushtetuese, një kontinuitet garash të pashuara në mes të akterëve politikë, një sërë shprehjesh të pakuptueshme të qëndrimeve, një përshkallzim konfliktesh brenda dhe ndërpartiake, një zgjerim i fenomenit të ndryshimeve të vizioneve brenda natës apo edhe ditës…

Një emërues ky i përbashkët i një konfiguracioni që kërkon gjurmime tejet të thella nëse synohet të kuptohet se çfarë është duke ndodhur realisht në skenën aktuale politike të Maqedonisë së Veriut.

Në shikim të parë, kuptohet sadopak më mirë ajo se e gjithë kjo çka ndodhë është e shtrirë në horizontet e një pluralizmi tejet kompleks, vështirë me i ra në fije.

Një pluralizëm politik që më tepër zgjerohet se sa konsolidohet. Një pluralizëm i llojit të vet, gati i pakopjueshëm për të tjerët.

Për fat të mirë! Pasi nuk ia vlen aspak për me e kopjuar, së paku jo në formën e saj aktuale. As nuk i’a vlen për me kërkuar në të elemente frymëzimi, e bile do të ishin tejet vështirë për me i gjetur.

Sa hulumtime dhe analiza duhet bërë për me e kuptuar thelbin e konflikteve, apo edhe të pazarllëqeve politike, për me i kuptuar edhe llogaritë e akterëve të ndryshëm të skenës politike të Maqedonisë së Veriut?

Pa mos shkuar shumë larg, bie në sy fakti se edhe çështjet sadopak bazike nuk duken të kuptueshme, apo një pjesë e tyre do të dukeshte e kuptueshme, por posaçërisht ajo që i takon regjistrit të interesave të brendshme partiake.

Marrë parasysh këtë që është duke ndodhur, nuk jemi sot aspak të sigurt se shumëfishimi i partive politike do të mund të interpretohej si një vlerë e shtuar e demokracisë apo si pasurim i skenës politike të këtij vendi.

Historia e partive të këtij shteti dëshmon atë se nuk është i vogël numri i partive që është ndërtuar mbi themelet e konflikteve, por edhe të inateve, mbi themelet e mosmarrëveshjeve dhe mungesës së kompromiseve për gjetjen e një gjuhe të përbashkët, aq të nevojshme këto për vlerat e një pluralizmi konstruktiv.

Në kontekstet e kësaj natyre, shumë shpejt shpaloset edhe pyetja tejet e rëndësishme lidhur me atë se vallë kujt mund t’i m’vishet fajësia?

Kjo pyetje është akoma më e koklavituar se sa reflektimet e cekura më lartë.

Sa shpejt dhe sa lehtë do të shpaloseshin sqarime për me u bindur se faji është i të tjerëve, është i atyre që janë në pushtet, do të thoshte njëra palë, kurse tjetra nuk do të hezitonte t’a bartë fajësinë tek opozita apo tek të tjerët.

Kjo është një formë klasike e definimit të fajësisë në situatat e kësaj natyre dhe në funksionimet e pluralizmit të llojit që e hasim në Maqedoni të Veriut.

Kurse sa vështirë do të ishte që të ofrohet një zgjidhje dhe një vijë e qartë politike për me e tejkaluar kolapsin aktual, një zgjidhje që do ti shkonte përshtati interesit të gjithëmbarshëm, e jo vetëm interesave para së gjithash partiake.

E panevojshme të shprehen ide apo këshilla mbi atë se si duhet vepruar, pasi që puna, përgjegjësia (së paku morale politike), angazhimi konkret janë para së gjithash në duart e atyre që i’a gjuajnë fajin njëri tjetrit, në veprimet dhe ndërgjegjën e atyre që e kanë pasur nderin dhe privilegjin t’iu besohet vota, kurse shumë më pak në duart e të tjerëve.

Këta të fundit apo votuesit që do t’a japin mundin e tyre për me i përcjellur me kujdes këto procese që reflektojnë më tepër dëshpërim se sa optimizëm do t’a kenë rastin të shprehin gjykimin e tyre kur do të afrohet momenti i dhënies së votës.

Idealja do të ishte të gjykohen realitetet ashtu siç duhet, e jo me nguti, e pastaj të shprehet njëfar keqardhje e vonshme për dhënien e gabuar të votës!