Ndonjëherë politikani nuk duhet të sillet si analist politik, ndonjë opinionisti të televizioneve private apo si një përfaqësues i opozitës së ndonjë vendi ngase, siç është edhe në traditën tonë, disa gjëra nuk duhet të thuhen apo duhet të thuhen në një formë më të butë që në traditën tonë quhen ‘rrotlla’.
Donika para disa ditësh nuk përdori rrotulla por, ‘për ledinë’, e tha troç atë që në kafenetë tona, në bisedat tona akademike dhe gjysmë akademike dhe ne komunikimet e ‘brendshme’ thuhet haptas dhe pranohet nga të gjithë ne.
Donika mund te ketë qenë gabim se e tha të vërteten dhe për mënyrën se si e tha këtë të vërtetë por, duhet ta kuptojmë, përfundimisht, se BE-ja karshi nesh dhe karshi situatës aktuale, për më shumë se dhjetë vjet ‘bisedimesh’ po luan si maca me miun me ne dhe duke e favorizuar, gjithmonë e në të gjitha rastet, Serbinë.
Kush duhet ta thotë këtë gjë, unë nuk e di por, e di që, për këtë trajtim të pabarabartë, duhet të diskutojmë qoftë në rrethet akademike, qoftë në komunitetin politik të vendit.
Donika mund të ketë gabuar, por nuk do të ishte gabim që këtë gjë ta thonin opozita dhe bota akademike. Gjithashtu këtë tematikë do të duhej ta diskutonin edhe analistët dhe opinionistët e vendit.
Disa gjera janë aq të dukshme sa që përpjekja që të fshihen, është thjeshtë një servilizëm dhe qyqarllëku politik dhe akademik. Mosdhënia e Vizave për më shumë se një decenie, trajtimi me fusnotë dhe si një ‘territor’ e jo shtet. Masat e tashme të vëna në mënyrë aq të lehtë dhe ‘fascinuese’ (siç tha Augustin Palokaj) kundër Kosovës, janë sinjale që BE-ja nuk na trajton në mënyrë të barabartë në asnjë aspekt të marrëdhënieve politike. Ajo po e ‘sulmon’ Kosovën për ta arsyetuar mosfuqinë e saj për ta detyruar Serbinë që t’ju përmbahet dhe t’i realizojë marrëveshjet e ‘pranuara’ prej saj.
Prandaj nëse kërkojmë që Donika të flet me ‘rrotlla’ dhe me ‘yrrnek’ ngase është ministre e jashtme, ne të tjerët nuk kemi pse servilosemi dhe të bëhemi sikur BE-ja po tregohet e drejtë ndaj nesh.
Ne duhet ta themi se BE-ja po na dëmton, po na diskriminon në të gjitha programet e saj si dhe po na përdorë si pare kusuritjeje në përpjekjen e saj të pamundur për ta kthyer Serbinë në anën e saj duke harruar se ky shtet ka lidhje aq të forta shpirtërore, fetare, kulturore dhe ekonomike me Rusinë të cilat e bëjnë Serbinë, praktikisht, të pandashme nga politikat dhe interesat ruse.
Në anën tjetër, ne edhe pse nuk kemi rrugë tjetër përveç asaj euroatlantike, duhet ta themi haptas se trajtimi i padinjitetshëm që BE e ushtron ndaj nesh, është fyese, e ulët dhe e papranueshme.
Prandaj thash se nëse kërkojmë nga Donika të tregohet e matur, ne s’kemi perse të jemi të tillë.
Ne nuk duhet të themi asgjë më shumë se sa të vërtetën dhe ta shfaqim ndjenjën e nënçmimit që na shkakton trajtimi i tillë nga BE.
Ne nuk kemi asnjë detyrë shtetërore dhe diplomatike, prandaj pak mungesë diplomacie dhe servilizmi, nuk na bën keq. Kështu, në vend se ta bënim ‘batare’, do ta ndihmonim edhe Donikën.