Shkruan: Ferid Selimi
Sot, kam bindjen që, më shumë se kurrë nevojitet një unitet në mbrojtjen e vlerave të shtetësisë së Republikës së Kosovës. Duke pasur për qëllim këtë, unë, sot jam që të ndihmojmë kryeministrin e Republikës së Kosovës që edhe me ndihmën tonë të ruaj e të mbrojë vlerat e shtetësisë së vendit tonë. Prandaj e mbështes sot.
Sot, kur kryeministri i Republikës së Kosovës sulmohet nga të gjitha anët e kur Kosova është kërcënuar e kërcënohet jo vetëm në pjesën veriore nga një grusht qytetarësh, por është edhe buzë një ndërmarrjeje të masave ndëshkuese nga Evropa e Bota, unë, që nuk isha e as jam militant i partisë së tij e as votues i tij, jam me të.
Jam me të sot, sepse, kam bindjen që përpjekjet e tija janë të ruaj e të mbrojë Republikën e Kosovës e jo të ruaj e të mbrojë veten e as postin që mban. Po përpiqet, që duke zbatuar kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, të vë rend e rregull në vend. Kështu vepron një burrështetas që e do vendin e vet.
Jam me të dhe sot e ndiej më se të nevojshme ta mbështes, sepse tani ka nevojë më së shumti për përkrahjen e secilit qytetar të Kosovës.
Jam përkrah tij sot, sepse është kryeministër i vendit tim.
Unë mbase mund të dukem i parëndësishëm si ai zogu i vogël me pak ujë në sqep që mundohej të shuante zjarrin që kishte kapluar malin, por, ai zog që ishte vërtet i vogël dhe njëmend nuk kishte më tepër se nja dy pika ujë në sqep, përpiqej me aq sa kishte mundësi të ndihmonte në shuarjen e zjarrit.
Prandaj, sot, unë me këtë pak potencial që kam, jam me të dhe me Republikën e Kosovës, që të ruhet, të mbrohet e të vendoset rend e rregull në çdo pëllëmbë toke në vendin tonë dhe të zbatohen Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës.