Familjes shqiptare të fesë katolike për ditën e Kurban Bajramit, i dhurojnë shtëpi të re!

SYRI TV

Në festën e Kurban Bajramit një imam në Kosovë i ka dhuruar një familje katolike në nevojë një shtëpi të re, shkruan agjencia AP.

Prenk Nreca 41-vjeçar, jetonte në shtëpinë në Pjetërshan me pesë fëmijë të moshave nga 6 deri 11 vjet.

Fshati është në afërsi të Gjakovës dhe rreth 80 kilometra nga Prishtina.

Nreca përkujdeset i vetëm për fëmijët.

Në Krishtlindjen e fundit, imami Abdurrahman Bejtullahu pa nëpër lajme kushtet e rënda në të cilat jetonte familja Nreca, dhe kështu vendosi të mblidhte fonde për t’ia ndërtuar familjes një shtëpi të re.

Nreca është i papunë dhe kryesisht bazohet në punë sporadike apo në bamirësi të njerëzve.

Gjatë festës së Kurban Bajramit, myslimanët prenë kurbane dhe ndajnë mishin me të varfrit, apo në përgjithësi dhurojnë mishin për bamirësi.

Bejtullahu thotë se kur dikush është në nevojë, atëherë feja nuk është ndonjë gjë shqetësuese.

Nreca ka thënë se imami e ndihmoi atë vitin e kaluar gjatë një dimri të vështirë, duke ia paguar për gjashtë muaj një apartament në qytet.

Moti ka penguar ndërtimin e shtëpisë së tij të re, thotë Nreca, ndërsa tregon shtëpinë dydhomëshe, që është pranë përfundimit.

“Është gati e përfunduar. Dua ta falënderoj imamin”, thotë Nreca.

“Zoti deshi që të vinte Kurban Bajrami për t’ua bërë befasinë”, thotë Bejtullahu, duke shtuar se së shpejti do t’ia dorëzojë çelësat familjes.

Një organizatë jo-qeveritare myslimane mblodhi afro 25 mijë euro nga familjet myslimane, bizneset lokale dhe nga diaspora. Një kompani që merret me ndërtime, vendosi të punonte falas. Ndërkohë komuna përkrah organizatën me nga 5000 euro për çdo shtëpi që ndërton për të varfrit.