Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë në një familje në lagjen Dardania në Prishtinë, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj babait të tij.
Sinjali mëson se viktima e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se pas një konflikti me të birin, 42-vjeçari e ka kërcënuar, duke i shkaktuar frikë e shqetësim të madh. Burimet thonë se i dyshuari iu kap babait veç pse u kollit, duke i thënë se “ta nxjerri gërklanin e fytit”.
Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në lëvizje dhe ka arrestuar të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Dhunë në familje’ dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.