Historike, 35 vjeçarja shqiptare noton nga Otranto për në Vlorë (VIDEO)

Admin

Për disa noti është pasion e ndërsa për disa të tjerë është një mision i guximshëm. Në këto momente, atletja shqiptare Eva Buzo ka nisur të shkruajë historinë e saj si atletja e parë shqiptare që po kalon me not kanalin e Otrantos.

Edhe pse me profesion avokate e suksesshme në Australi, Eva Buzo ka zgjedhur të bëjë histori me pasionin e saj duke notuar nga perëndimi në lindje, për të mbërritur tokën e Shqiponjave dhe në veçanti plazhin e Vlorës, duke u nisur nga Otranto.

Mendimi për të ndërmarrë notin drejt origjinës së saj, i erdhi gjatë periudhës së izolimit nga pandemia, kur duke parë në Google Maps disa vende të mundshme për të notuar, u ndal në distancën midis Italisë dhe Shqipërisë.

Gjatë rrugëtimit me not që mendohet të zgjasë 35 deri në 40 orë, Eva do të ndiqet nga 2 trajnerë që do të hipin me radhë në një kajak. Një varkë e shpejtë do të jetë për asistencë logjistike, shkruan Shqiptarja.com.

Eva është një avokate e zonja në Australi dhe e angazhuar masivisht me problematika sociale, në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ka përvojë pune në Afrikën Lindore, Azinë Jugore dhe Australi, për organizata të ndryshme duke përfshirë World Vision dhe Save the Children.

Misionin e Eva Buzos e ka përshëndetur edhe kryeministri Rama i cili ka ndarë një video në rrjetin e tij social Facebook. Ai shkruan se është sesacionale.