Bashkimi Evropian ka konfirmuar se sot do ta mbajë një sërë takimesh me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, rreth orës 14:00.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka bërë të ditur se u ka dërguar ftesa urgjente Kurtit e Vuçiqit për t’u takuar në Bruksel. Të dy e kanë pranuar ftesën, megjithatë Vuçiqi ka thënë se nuk do që të takohet me Kurtin, por vetëm me Borrellin.
BE-ja ka theksuar se me Kurtin dhe Vuçiqin do të fokusohen në gjetjen e mënyrave për ta shtensionuar situatën në veri në mënyrë që palët t’i kthehen zbatimit të marrëveshjeve.
“Pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, përfaqësuesi i lartë, i mbështetur nga përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, do të presë sot një sërë takimesh për menaxhimin e krizave me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Diskutimet do të fokusohen në gjetjen e mënyrave për të shtensionuar tensionet aktuale në mënyrë që t’i rikthehemi zbatimit të marrëveshjeve të dialogut, në veçanti Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit”, thuhet në njoftimin e BE-së shkruan Koha.
BE-ja nuk është përgjigjur nëse Kurti e Vuçiqi do të takohen në një sallë.
“Takimi duhet të fillojë rreth orës 14:00. Do të fokusohet te gjetja e një mënyre për të shtensionuar sa më parë situatën e për t’u përqendruar te zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialog. Çfarë mund të them është se dy liderët do të jenë në Bruksel sot. Nuk mund të komentoj dhe parashikoj se si do të ecin gjërat. Është mundësi e ofruar për dy liderët që të tregojnë gatishmëri për të qenë konstruktiv. Presim që ata të angazhohen në mënyrë konstruktive”, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali.