Dikur i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, kushëriri i saj ia kërkon shtetit të Kosovës mbi një milion euro si dëmshpërblim

Admin

Në prill të këtij viti Gjykata Supreme e kishte liruar Naser Pajazitaj nga akuzat për vrasjen e rëndë të Donjeta Pajazitaj.

Nga koha e ngritjes së akuzave në vitin 2015, e deri me marrje të aktgjykimit lirues të Gjykatës Supreme, Pajazitaj ka qëndruar në paraburgim për 1791 ditë.

Lidhur me këtë, i njëjti ka parashtruar kërkesë për kompensim të dëmit për privim nga liria pa bazë.

Për KALLXO.com këtë e ka konfirmuar avokati i tij mbrojtës, Ahmet Tahiri.

Kërkesa të cilën e ka siguruar nga KALLXO.com, është parashtruar në Këshillin Gjyqësor me 23 maj 2023.

Vlera e kësaj kërkese arrin shumën prej 1,150,985 euro. Shuma prej 1,000,000 euro është kërkuar në emër të dëmit moral. Shuma prej 107,460 euro është kërkuar për 1791 ditë të cilat Pajazitaj i kishte kaluar në paraburgim. Tutje, shuma prej 14,400 euro për 144 vizitat familjare që janë bërë gjatë kësaj kohe. Po ashtu janë kërkuar edhe 28,800 euro shumë për fitimin e humbur si dhe 325 euro për përpilimin e kësaj kërkese.

Naser Pajazitajn, i cili ishte i dyshuari i vetëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, më 6 prill 2023, Gjykata Supreme e ka liruar nga akuza.

Të pandehurit Gjykata e Apelit ia kishte zbritur dënimin nga burgim i përjetshëm në dënim me 35 vjet burgim.

Trupi gjykues i Gjykatës së Apelit që e kishte ulur dënimin e Pajazitajt përbëhej nga Afërdita Bytyqi – kryetare, dhe Xhevdet Abazi dhe Tomisllav Petroviq – anëtarë.

E kundër këtij vendimi të Apelit, ekipi mbrojtës i Naser Pajazitajt me anë të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë lëndën e kishte dërguar në Gjykatën Supreme.

Trupi gjykues (i përbërë nga Valdete Daka – kryetare dhe Agim Maliqi e Rasim Rasimi – anëtarë) i Gjykatës Supreme me anë të aktgjykimit kishte vendosur që Naser Pajazitajn ta lirojë nga akuza për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.