Qeveria financon vizitën e përfaqësuesve të Luginës në PE për të treguar mbi diskriminimin në Serbi

SYRI TV

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka ndarë 17,350 euro për të financuar vizitën e një grupi prej 10 vetash nga Lugina e Preshevës në Parlamentin Europian.

Në prezantimin e kësaj pike, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se kjo është në të mirë të ngritjes së çështjes së diskriminimit dhe problemeve që përballen shqiptarët në Luginë të Preshevës.

“Marrë parasysh gjendjen dhe sfidat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe nevojën për ndërkombëtarizimin e çështjes e komunitetit shqiptar atje dhe adresimin e problemeve që përballen shqiptarët atje është e domosdoshme që të ndërmarrim hapa që çështjen e Luginës së Preshevës ta ngrisim edhe në instancat më larta të faktorëve relevantë europianë. Së fundi, kemi pranuar një kërkesë për të përkrahur një vizitë të fakorit politik shqiptar nga Lugina në Parlamentin Europian. Kërkesa konsiston në vizita, takime me eurodeputetë gjatë seancës”.

Bislimi tha se kjo paraqet mundësi të mirë për të shpërfaqur diskriminimin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti tha se ky propozim-vendimin për ndarje buxhetore për mbështetje të Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit është për promovimin dhe ruajtjen e të drejtave të shqiptarëve atje. /Express/