“Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, ndalohet për 48 orë drejtori i “Visametric”

SYRI TV

Drejtori i “Visametric” është ndaluar për 48 orë, për shkak të moszbatimit të vendimit gjyqësor, ku i ndalohej të kërkonte 30 euro shtesë nga qytetarët për shërbimet e pasaportës.

Prokuroria Themelore e Prishtinës bëri të ditur se ndalimi i tij është bërë pas marrjes së deklaratës.

”Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në kuadër të ndërmarrjes së veprimeve hetimore lidhur me rastin “Visametric”, Prokurorja e Shtetit, sot pas marrjes së deklaratës nga i pandehuri S.O., (shtetas turk), drejtor i këtij subjekti, me aktvendim mbi ndalim e ka ndaluar të njëjtin në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”.

Përkundër vendimit gjyqësor që ia ndalonte kërkimin e 30 eurove për shërbime të pasaportës, Visametric kishte vazhduar të kërkoj 30 euro nga qytetarët në mënyrë të jashtëligjshme.

Tutje, në njoftimin e prokurorisë thuhet se brenda afatit ligjor ndaj të dyshuarit do të merren veprimet e mëtejme ligjore.

Hetimet sipas tyre janë duke vazhduar.