Zyrtare/ Edon Zhegrova i bashkohet Taulant Xhakës te Baseli

0
299

Edon Zhegrova edhe zyrtarisht i ka ndarë rrugët me klubin belg Genk dhe i është bashkuar Baselit në Zvicër, aty ku luan mesfushori kuqezi, Taulant Xhaka.

Genku njoftoi përmes një postimi në faqen e vet zyrtare se ka arritur marrëveshje me Baselin për transferimin e sulmuesit kosovar Edon Zhegrova.

Anësori i ekipit kombëtar të Kosovës i bashkohet Baselit si lojtar u huazuar për një sezon e gjysmë, me klubin zviceran që e ka opsionin për ta blerë 19-vjeçarin në fund.

“Genk ka arritur marrëveshje me klubin zviceran FC Basel për transferimin e Edon Zhegrovës. Baseli e huazon Zhegrovën për një sezon e gjysmë, me opsion për ta blerë”, thuhet në njoftimin e klubit belg.

Gjatë merkatos së janarit është raportuar se për shërbimet e talentit kosovar kishin shprehur interesim edhe klube të mëdha si Barcelona, Milan dhe Lazio.