Zjarret dalin jashtë kontrollit në Greqi, kryeministri paralajmëron: Më e keqja s’ka ardhur akoma

0
236

Zjarret, që prej ditësh shkrumbojnë gjithçka u del përpara në Athinë, kanë dalë jashtë kontrollit. Temperaturat e larta dhe era e fortë bëri që vatrat në pjesë të ndryshme të Greqisë, si në Evia, Messinia dhe Laconia, të riaktivizoheshin.

Autoritetet kanë evakuuar qindra banorë dhe turistë, teksa gjysma e vendit është përfshirë nga flakët e rrezikshme. Kryeministri, Kyriakos Mitsotakis, thotë se prioriteti kryesor është shpëtimi i jetëve.

“Fatkeqësisht më e keqja nuk ka ardhur akoma dhe kërcënimi mbetet ende para nesh. Presim erëra të forta perëndimore në shumë zona të vendit tonë. Po flasim për kushte të paprecedenta, të shoqëruara me ditë të shumta të valës së të nxehtit që kanë transformuar gjithë shtetin në një fuçi baruti. Bashkë me Mbrojtjen Civile ne kemi ndërtuar një plan emergjence duke vendosur 6 rajone, përfshirë Atikën, në gjendjen e alarmit të kuq. Iu bëj thirrje që të kufizoni udhëtimet e panevojshme dhe të tregoheni vigjilentë”, deklaroi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis./ shkruan Botapress

Imazhet që vijnë nga Greqia janë apokaliptike. Prej ditësh, një re e madhe tymi ka mbuluar Athinën, ndërsa në ishullin Evia zjarret përparuan me shumë shpejtësi duke mbërritur edhe në afërsi të bregdetit. Qindra ndërtesa janë shkrumbuar, ashtu si edhe mijëra hektarë pyje. Autoritetet greke kanë angazhuar forca të shumta zjarrfikëse si dhe qindra mjete tokësore dhe ajrore, në tentativë për të vendosur nën kontroll dhe shuar zjarret. Flakët po rrezikojnë dhe zonat arkeologjike.