Zëdhënësi i Doganës: Taksa 100 për qind s’vlen për donacionet humanitare

0
278

Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për taksë ndaj produkteve me origjinë nga Serbia nuk i nënshtrohen edhe donacionet humanitare.

Këtë për Gazetën Express, e ka konfirmuar zëdhënësi i Doganës së Republikës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

“Donacionet humanitare nuk i nënshtrohet. Sepse vendimi i referohet mallrave komerciale që pretendohet të shiten në Kosovë”, ka thënë Stavileci.

I pyetur nëse do të lejohen të futen këto donacione edhe nëse shkruajnë ‘Kosovo Metohija’, Stavileci ka thënë se kjo punë do të shikohet.

“Ne i kontrollojmë për mbishkrime. Por donacioni është subjekt tjetër. Do ta shohim se di do të jenë donacionet. Një mall i donacionit nuk del në treg. Nuk pretendohet me u shit”, ka sqaruar ai.

Këto diskutime po bëhen pas protestave të shumta të serbëve në veri, dhe shqetësimit të tyre se pas vendimit të Qeverisë për taksë, do të ngelen edhe pa bukë, pa barna e gjëra të tjera.

Ndërkohë dje ministri i shëndetësisë së Serbisë, Zlatibor Loncar, ka thënë se kanë grumbulluar një sasi të konsiderueshme barnash që dëshirojnë t’i dërgojnë në veri të Mitrovicës për të ndihmuar serbët atje.

Ndërsa sot Kisha Ortodokse Serbe, ka grumbulluar diku rreth 25 tonë miell, që do të dërgohen si donacion për serbët të cilët jetojnë në veri të Kosovës.

E serbët në veri ka disa ditë radhazi që po protestojnë kundër taksës, duke kërkuar largimin e saj.

Kundër taksës ka reaguar edhe BE-ja, të cilët kanë kërkuar zhbërjen e vendimit.