Vret fqinjen shtatzënë dhe i merr fëmijën

0
198

Një grua ka pranuar akuzat për vrasjen e fqinjes 20-vjeçare, me qëllim që t’i merrte fëmijën dhe ta rriste me të dashurin e saj.

Brooke Crews, 38-vjeç, përballet me burgim të përjetshëm, pasi ndryshoi qëndrimin e saj nga jo fajtore në gjykatën e Cass Country të Dakotës së Veriut, SHBA dhe tashmë përballet me akuzat për konspiracion për të kryer rrëmbim dhe vrasje dhe për fshehjen e të vërtetës përballë oficerëve të policisë.

Crews dhe i dashuri i saj William Hoehn, 32-vjeç akuzohen të dy për vrasjen e 22-vjeçares Savanna Greywind, e cila jetonte në Fargo dhe u zhduk më 19 Gusht.

Trupi i saj u gjet i mbështjellë me qese dhe ngjitëse në Red River. Ndonëse hetuesit nuk kanë zbuluar sesi u vra, kreu i policisë së Fargo e quajti “një akt mizor dhe të neveritshëm”, vrasjen e të resë.

Foshnja e vogël, e cila mbijetoi, u gjet në apartamentin e Crews dhe Hoehn. I dashuri i Greywind, Ashton Matheny, tha se testet e ADN-së konfirmuan se ai dhe 22-vjeçarja ishin prindërit e vajzës.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja britanike “The Independent”, dy të akuzuarit dhanë versione të ndryshme para hetuesve. Gruaja tha se nëna e re ia kishte dhënë vetë fëmijën, pasi e kishte lindur.
Ndërsa i dashuri i saj Hoehn i tha hetuesve se më 19 Gusht e kishte gjetur të dashurën duke pastruar banjën e mbushur me gjak. Ai tha se Crews e kishte prezantuar me të porsalindurën dhe i kishte thënë: “Kjo është bebja jonë, kjo është familja jonë”. Ai tregoi më tej se kishte hedhur në plehra qese të mbushura me këpucë dhe peshqirë me gjak.
Por avokati i 38-vjeçares Crews duke folur për mediat lokale tha se ajo tashmë ka pranuar fajin dhe përgjegjësinë për veprimet e saj dhe gruaja pritet që të përballet me burgim të përjetshëm.
Ndërsa i dashuri i saj nuk i ka pranuar akuzat dhe gjyqi i tij pritet të nisë në Mars.