Votimi i Demarkacionit shtyhet për në shkurt të vitit të ardhshëm?

0
180

Javë më parë, Qeveria e Kosovës ka proceduar në Kuvend marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e zi. Pavarësisht kësaj, kjo marrëveshje ende nuk është sjellë. Një gjë e tillë si duket nuk pritet të ndodhë para vitit të ardhshëm.

Por, edhe nëse sillet në Kuvend pozita e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, nuk i ka ende 80 votat e nevojshme për të ratifikuar Demarkacionin e kufirit me Malin e zi. Lidhur me këtë çështje, gazeta “Bota sot” nuk ka arritur të marrë përgjigje nga kryeministria.

Në anën tjetër, Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli nuk beson se Demarkacioni do të sillet në Kuvend para shkurtit të vitit të ardhshëm.

“Sjellja e demarkacionit me Malin e Zi në Kuvend është çështje e qeverisë. Jemi në fund të vitit. Në janar Kuvendi ka pushim kështu që nuk besoj se kjo mund të ndodhë para shkurtit të vitit të ardhshëm”, ka thënë Topalli për gazetën “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka theksuar se qendrimi i Vetëvendosjes mbetet i njëjtë për marrëveshjen e vitit 2015.

“Lëvizja Vetëvendosje e kundërshton marrëveshjen në arritur në vitin 2015. Në këtë kuptim qëndrimi vazhdon të mbetet i njëjtë”, ka potencuar ai.

Topalli, ka deklaruar për “Bota sot” se duhet të bëhen përpjekje për të bërë një marrëveshje të re me Malin e Zi pasi që sipas konsumonit të ri është konstatuar se vendi po humbet tokë.

“Edhe z. Bulliqi ka konstatuar me komisionin e ri se Kosova humbë tokë sipas marrëveshjes së vitit 2015, kështu që duhet të përpiqemi për një marrëveshje të re me miqtë tonë malazez”, ka përfunduar Topalli për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku Rexhepi ka thënë se ende nuk dihet se kur do të sillet në Kuvend demarkacioni.