Vetëvendosje e palëkundur për Demarkacionin, kjo është metoda përmes së cilës do ta kundërshtojë këtë marrëveshje

0
173

Është thënë se në javën e ardhshme marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi do të sillet në Kuvend. Lëvizja Vetëvendosje, e cila është në opozitë njihet si partia që e ka kundërshtuar këtë marrëveshje më së shumti në mandatin e kaluar, që po ashtu ishte pjesë e opozitës.

Këtë kundërshtim duket se do ta vazhdojë edhe kur marrëveshja të sillet në Kuvend për ratifikim.

Kështu ka bërë të ditur për gazetën “Bota sot”, deputeti nga Vetëvendosje Ismajl Kurteshi, i cili ka thënë se LDK dhe PDK kishin fajësuar VV-në se nuk po e lejon sjelljen e marrëveshjes në Kuvend.

“Ne qëndrimet tona i marrim duke u bazuar në argumentet të cilat na ofrohen. Edhe kjo gjendje nuk do të trajtohet ndryshe, pra do të veprohet duke u bazuar në argumentet që na ofrohen nga komisioni që është formuar, do t’i shohim ato dokumente. Mirë që po vjen marrëveshja, pasi gjatë dy viteve LDK dhe PDK kanë kërkuar që të vjen kjo çështja në Kuvend dhe të ratifikohet dhe përherë kanë akuzuar Vetëvendosjen se nuk po lejon debat, tash është momenti për të debatuar dhe do të debatojmë bashkë dhe pastaj sipas bindjeve të veta, besoj që vërtetë secili deputet pa ndikime anësore do të votojë”, është shprehur ai.

Kurteshi ka thënë se në bazë të asaj që ka lexuar nga raporti i Komisionit të ri të qeverisë, vetëm i është forcuar qëndrimi i mëhershëm kundër dhe se këtë qëndrim nuk do ta ndryshojë.
“Për argumente të njëjta, mendoj që s’kemi nevojë të ndryshojmë qëndrimin, tash kemi materiale shtesë që po i lexojmë që i ka bërë ky Komisioni i ri i kryeministrit Haradinaj, që për aq sa kam lexuar unë, vetëm sa e forcojnë atë qëndrimin tonë të mëhershëm. Po besoj që ka shumë shpjegime dhe deputetët e LDK-së dhe PDK-së mund ta ndryshojnë qëndrimin, por Vetëvendosje nuk besoj që do ta ndryshojë qëndrimin e vet, së paku unë në atë që kam lexuar nuk do ta ndryshojë qëndrimin tim dhe secili deputet do të vendos për veten e tij. Do të veproj me bindje të plotë se vota ime do të jetë në shërbim të interesave të vendit”, ka shtuar deputeti Kurteshi.

Ndërsa, sa i përket metodave me të cilat ky subjekt politik do ta kundërshtojë këtë marrëveshje, ai ka thënë se nuk do të përdoret asnjë metodë tjetër pos votës.

“Jemi subjekt i madh e dini, me vota i determinojmë gjërat, kështu që nuk ka kurrfarë metode tjetër, në fund të debatit do të votojmë dhe do të shkojmë në shtëpi”, ka deklaruar Ismajl Kurteshi.

E për mundësinë që Demarkacioni të kalojë në Kuvend, deputeti ka thënë se nuk do që të preferon të jetë paragjykues.

“Mund të jenë paragjykime. Nuk e di, secili deputet vendos për vetveten, por bazuar në argumente që jepen, nëse mendojmë për të mirën e vendit, nuk do të ketë shumë vota”, ka vlerësuar deputeti i VV-së, Ismajl Kurteshi për “Bota sot”.

Kujtojmë që marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015.