Vendimi që synon ta shpëtojë gjigandin metalurgjik

0
181

Me gjithë rritjen e çmimit të xeheve në tregun botëror, viteve të fundit, gjigandi metalurgjik i Kosovës, kombinati “Trepca” ka shënuar ulje të profitit për shkak të keq menaxhimit.

Rënia e prodhimit prej vitit në vit, mungesa e investimeve kapitale, teknologjisë dhe investitorëve të huaj, kanë sjellur këtë gjigand në gjendje kaotike.

Edhe pse Ligji për Trepçën, është miratuar dy vjet më parë, tek ditë më parë, është votuar statuti i saj, ku ky kombinat shëndërrohet në shoqëri aksionare.

Deputetët e kuvendi  këtë vikend, vendosën për shëndërrimin e Trepçës, në  shoqëri aksionare, shkruan “SyriKosova”.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se miratimi i statutit, i hapë rrugë perspektivës zhvillimore të Trepçës si dhe bënë të mundur fillimin e investimeve vendore dhe të huaja, duke rritur vlerën e aseteve dhe duke përmirësuar teknologjinë, të cilat do të mundësojnë që këtë gjigandë t’a rikthejmë në një nga më kryesoret të zhvillimit ekonomik në vendin tonë.

Hap pozitiv, miratimin e këtij statuti e sheh edhe shefi i grupit Parlamentar të Nismasocialdemokrate, Bilall Sherifi.

Ai “për SyriKosova”, tha se me miratimin e statutit të Trepçës, është hap rruga që kjo ndërmarrje të zhvillohet edhe më tej dhe beson që ligji për këtë kombinat, i miratuar dy vjet më parë të funksionalizohet shumë shpejtë.

E shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, për “SyriKosova”, thotë se  ky statut ka defekte të mëdha profesionale.

“Lajmi i mirë nga ky statut, është fakti që janë përfshirë shtatë asetet, që nuk kanë qenë të përfshira në statutin e parë. Lajm i keq është se në statutin e Trepçës, nuk janë konsideruar si aset i këtij gjigandi edhe pasuritë e saj të cilat kanë qenë në pronësi të saj, gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, të cilat kanë qenë jashtë territorit të Kosovës”, tha Konjufca.

Ai shton se defekti më i madh i këtij statuti,  janë defektet profesionale sa i përket konceptimit të aksioneve.

“Ekspertët e ekonomisë, të cilët janë marrë me këtë, kanë qenë shumë të dobët profesionalisht, në kuptimin e njohjeve të aksioneve se si funksionojnë ato në nje shoqëri aksionare, pasi ka kundërshtim me ekonominë e tregut dhe atë ndërkombëtare” tha shefi i grupit të LVV-së.

Shqetësuese sipas tij, është vizioni i ministrit të Zhvillimit Ekonomik për privatizimin e saj, sikurse edhe të Telekomit, ku kjo do të ishte fatale për interesat shtetërore të Kosovës.

Nga ana tjetër “SyriKosova” ka provuar gjatë ditës të marrë deklaratë nga ministria e Zhvillimit e Ekonomik dhe kryetari i qytetit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.

Nga ana tjetër  kujtojmë se statuti i ri i miratuar në Kuvend ditë më parë , përcakton themeluesit e shoqërisë aksionare, aksionet e tyre, veprimtarinë, strukturën organizative, kapitalin themeltar, menaxhimin, afarizmin dhe të gjitha çështjet organizative që lidhen me kompaninë.

Emërtimi i shoqërisë aksionare është “Trepça” dhe selia e saj është në Parkun Industrial të Mitrovicës.

Ndryshe, Kosova asnjëherë nuk ka bërë një vlerësim të detajuar për vlerën reale të kombinatit metalurgjik “Trepça”. I vetmi studim për të gjitha resurset natyrore të Kosovës që është bërë në vitin 1992, ka vlerësuar se potencial material i Trepçës mund të jetë 85 miliardë dollarë./SyriKosova/D.G