U akuzuan për vrasjen e 300 serbëve, shpallen të pafajshëm oficerët boshnjakë

0
205

Gjenerali i kohës së luftës i ushtrisë boshnjake, Atif Dudakoviq, dhe 15 prej vartësve e deklaruan veten të pafajshëm në gjykatën shtetërore të Bosnjës për akuza që përfshijnë vrasjen e më shumë se 300 njerëzve, persekutimin dhe abuzimin e civilëve dhe të burgosurve të luftës dhe shkatërrimin e 38 kishave ortodokse dhe ndërtesave të tjera fetare ortodokse.

Dudakoviqi dhe të tjerët akuzohen për krime kundër njerëzimit në komunat Bosanski Petrovac, Kljuc, Bosanska Krupa dhe Sanski Most, dhe krime lufte kundër popullsisë civile në komunat Bihaq dhe Cazin.

“Të pandehurit janë akuzuar për vrasjen e më shumë se 300 serbëve, shumica e të cilëve ishin civilë, kryesisht njerëz të moshuar, si dhe ushtarë që ishin dorëzuar ose ishin kapur, që do të thotë se u ishte privuar mundësia për të luftuar”, tha prokuroria në një deklaratë kur u ngrit në fillim aktakuza.

Një pjesë e aktakuzës së Atif Dudakoviqit ka të bëjë me krimet e luftës kundër boshnjakëve, të cilët ishin anëtarë dhe mbështetës të Forcës Kombëtare të Mbrojtjes të Krahinës Autonome të Bosnjës Perëndimore, një shtet i vetëshpallur boshnjak gjatë kohës së luftës.

Dudakoviq, një komandant ushtarak boshnjak, komandonte enklavën e Bihaqit në Bosnjën veriperëndimore gjatë luftës. Pas konfliktit, ai u bë komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës.

Arrestimi i tij në prill të këtij viti shkaktoi zemërim midis politikanëve boshnjakë dhe veteranëve të luftës, por u vlerësua nga disa politikanë serbë të Bosnjës.

Ushtarët e tjerë të Korpusit të Pestë të Ushtrisë Boshnjake që u akuzuan ishin Ekrem Dediç, Sanel Sabiç, Ibrahim Siljediç, Safet Salihagiç, Adis Zjakiç, Hasan Ruzniç, Redzep Zlojiç, Samir Solakoviq, Fatmir Muratoviq, Muharem Aleseviq, Husein Balagiç, Ale Hodziç, Edin Domazet, Ejub Konjeziç, Ibrahim Nadareviq dhe Said Mujiç.

Të gjithë të pandehurit e deklaruan veten të pafajshëm, përveç Ale Hodziç i cli nuk mori pjesë në seancë për shkak të problemeve shëndetësore.

Gjyqtari Davorin Jukiç tha se Hodziç do ta bënte deklaratën e tij në një fazë të mëvonshme. /BIRN