Trump: Nuk duhet të bllokojmë teknologjitë më të avancuara

0
215

Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se vendi i tij duhet të bëhet lider në teknologji përmes konkurrencës dhe jo duke bllokuar të tjerët.

Në një kohë kur SHBA është në “luftë teknologjike” me kompaninë kineze të telekomit “Huawei”, deklaratat e Trump u interpretuan si mbrojtje për firmën.

“Dua 5G ose edhe 6G në SHBA sa më shpejtë të jetë e mundur. Dua që Amerika të bëhet lider në teknologji përmes konkurrencës, jo duke bllokuar teknologjitë më të avancuara. Kompanitë amerikane duhet të shtojnë përpjekjet e tyre ose mund të mbesin prapa”, shkroi Trump në Twitter.

Muajin e kaluar, Departamenti amerikan i drejtësisë ngriti disa akuza penale kundër kompanisë “Huawei”, të cilat përfshijnë mashtrimin bankar, pengimin e drejtësisë dhe vjedhje të teknologjisë nga kompania amerikane T-Mobile.

Madje, Weng Wanzhou, shefja e financave të firmës, njëherit edhe vajza e themeluesit, u arrestua në Kanada me kërkesë të Amerikës për shmangie te sanksioneve kundër Iranit.

SHBA-të kanë shprehur shqetësim se qeveria kineze mund të përdorë teknologjinë e “Huawei” për spiunim, por kjo kompani ka mohuar të tilla pretendime duke thënë se nuk kontrollohet nga qeveria.