Tradhtia për demarkacionin me Malin e Zi

0
194

Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi pas disa vitesh zhagitje nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, është votuar me 80 vota të deputetëve.

Ishte Lëvizja Vetëvendosje, e cila bashkë me AAK-në dhe Nismën, që si opozitë, gjuajtën dhjetëra herë gaz lotsjellës duke kundërshtuar këtë marrëveshje.

Kryeministri Ramush Haradinaj, sa ishte opozitë nuk la “gurë” pa lëvizur që të mos votohet demarkacioni, ndërsa posa e morri Qeverinë, ai e votoi këtë në këmbim të vizave për qytetarët e Kosovës.

Me këtë votim, Kosova humbi 8299 hektar tokë.

Pas kësaj marrëveshje, Qeveria e Kosovës ka thënë se do të bëhet korrektimi i vijës kufitare me Malin e Zi.

Deputetja e Parlamentit të Kosovës, Drita Millaku nga Lëvizja Vetëvendosje pohon se, dyshon në këtë korrigjim të marrëveshjes, duke e quajtur një trik.

Ajo thotë se, duhet me qenë serioz në trajtimin e situatave vendimtare për shtetin dhe kombin, pasi, sipas saj, nuk ka korrigjim pas nënshkrimit, duke shtuar se, po të kishte një korrigjim atëherë ish bërë para ratifikimit.

“Dëshiroj shumë të këtë korrigjim të marrëveshjes, por druaj se është vetëm një trik për të larë fytyrën nga marrëzia që ndodhi me këtë rast. Ne duhet të jemi më serioz në trajtimin e situatave vendimtare për shtetin dhe kombin. Nuk ka nënshkrim e pastaj korrigjim, sepse po të kishte korrigjim do të ishte bërë me kohë para ratifikimit. Populli ynë duhet të vetëdijesohet dhe të votojë tanimë njerëz që nuk shantazhohen dhe nuk janë lakmitarë”, thotë Millaku.